Këshilli i Evropës

Lajçaku takon presidentin e Komitetit të Ministrave të KiE-së, një ditë pas dështimit të takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, njoftoi se ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, i cili aktualisht shërben edhe si president i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE), organizatë ku Kosova synon të anëtarësohet.

“Sot takova Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë dhe diskutuam rreth situatës aktuale politike në dialog dhe prioritetet në rolet tona përkatëse”, ka shkruar Lajçaku, një ditë pas dështimit të takimit të planifikuar nga BE-ja midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.