Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak do të nis sot vizitën e tij në Kosovë, ku ende nuk dihet agjenda e takimeve, teksa takimi me Presidentin Hashim Thaçi mbetet pikëpyetje.
Zyra e BE’së në Kosovë përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se Lajcaku do ta nisë vizitën në Kosovë nga sot deri më 18 qershor.
“Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian (PPBE) për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do ta vizitojë Kosovën nga 15 deri më 18 qershor 2020, në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e pozitës së tij të re”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se Lajcak do të takohet me akterë politik në vend, por ende nuk dihet se a do të shihet edhe me Presidentin Hashim Thaçi, pasi ky i fundit disa herë refuzoi të bisedojë me të.
“Gjatë qëndrimit në Kosovë PPBE’ja do të shfrytëzojë këtë mundësi për t’u njohur me situatën në terren”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Kujtojmë se dje ka thënë se nuk është i informuar për agjendën e Lajcak në Kosovë, derisa nuk tregoi se a do të takohen.
“S’jam i informuar për agjenden e Lajcak në Kosovë. Nuk është koha për hapjen e çështjeve teknike për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Lajcak duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur dhe nëse vjen me çasje se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, atëherë është i mirëseardhur.”, ka thënë Presidenti Thaçi.
Tutje, ai ka shtuar se Lajcak duhet të kuptojë se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për heqjen e vizave, proces i cili ka filluar para më shumë se një dekade.
“Mirëpo ai duhet të kuptojë se kosovarët kanë nevojë për heqjen e vizave, e jo për fjalime të thata.”, ka thënë Presidenti.
Vlen të theksohet se kryetari i Shtetit e ka kundërshtuar që në fillim emërimin e Lajcakut si emisar të BE’së, duke marrë parasysh se ai vjen nga Sllovakia, vend që nuk e ka njohur Kosovën dhe kishte votuan kundër pranimit të vendit në UNESCO.







