Dialogu

Lajcak: Vizitova Prishtinën dhe Beogradin me idenë që të organizoja një takim Kurti-Vuçiq në korrik

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se erdhi për vizitë në Prishtinë dhe Beograd me idenë për të përgatitur një takim të nivelit të lartë në korrik me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këtë deklaratë Lajçak e dha për revistën serbe “Nedeljnik” dhe shtoi edhe Kurti edhe Vuçiq kanë disponim për këtë.

“Erdha në Prishtinë dhe Beograd me idenë që në korrik të përgatisim një takim mes presidentit Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti, sepse besojmë se përveç nivelit të kryenegociatorëve kryesorë që është duke funksionuar, duhet të ngrihemi në nivel të liderëve”, ka thënë Lajçak.

Megjithatë, të kundërtën e kësaj e ka thënë dje Vuçiq. Ai u pyet se a do të ketë takim me Kurtin dhe ka mohuar se ai do të ndodhë në ditët e ardhshme.

“Nuk është e vërtetë, as që më ka pyetur askush. Unë nuk ik nga asnjë takim, kryesisht ai ka ikur nga takimet, unë nuk ik nga takimet”, tha Vuçiq dje.

Lajçak ka folur edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se është e rëndësishme që këtu të ketë bashkëpunim të suksesshëm rajonal.

“Është e vështirë të bindësh liderët evropianë se je gati të funksionosh në një familje prej 27 vetash, nëse ke problem në një familje prej gjashtë anëtarësh”, tha Lajçak, transmeton Gazeta Express.

Duke folur për zvogëlimin e eurocentrizmit në disa vende të Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht në Serbi, ai tha se për këtë është përgjegjës edhe Bashkimi Evropian, “para së gjithash sepse filloi ta shikojë procesin e zgjerimit si çështje teknike”.

Por, Lajçak s’u pajtua se këtu ka faj vetëm BE-ja.

“Dhe nuk është kështu. Çdo vend në rajon ka detyrat e tij të shtëpisë dhe e di se çfarë duhet të përmbushë ende. Nëse fajësojmë Brukselin – mirë, kjo nuk do të na sjellë në BE. Dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, tha Lajçak.