Lajçak thotë se u keqinterpretua, tregon hartën e Kosovës ‘gjysmë të pavarur’ në zyrën e tij

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka reaguar rreth çështjes së hartës e cila u shfaq në zyrën e tij, ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.

Sipas Lajçak, në këtë hartë Kosova është e ndarë nga Serbia.

Kështu shkruan ai në Twitter, ku edhe ka publikuar disa fotografi më afër hartës.

“Pasi harta në zyrën time është nxjerrë gjatë intervistës sime dhe është e paqartë, ka shkaktuar disa keqkuptime sot, unë po ndaj një foto të afërt të saj. Kjo është një hartë zyrtare e BE e Ballkanit Perëndimor. Kosova është atje dhe po ashtu është linja që ndan Kosovën nga Serbia”, thekson Lajçak.

Në hartën e Lajçkut Kosova shihet me kufij të kufizuar, por jo e plotësisht e ndarë nga Serbia. Vijat ndarëse janë me të holla se për shtetet tjera. /Ballkani.info/