BE-SHBA

Lajçak takohet me Hillin: Planifikuam hapat e ardhshëm, bashkëpunimi BE dhe SHBA i shkëlqyer në dialog

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi Christopher Hill, të premten e 8 dhjetorit kanë zhvilluar një takim në Bruksel për të diskutuar për hapat e ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Takimin e ka bërë të ditur Lajçak përmes një cicërime në platformën ‘X’, ku ka thënë se kanë planifikuar hapat e radhës.

“E mrekullueshme për të parë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Serbisë në Bruksel këtë javë! Gjithmonë e dobishme për të krahasuar shënimet dhe për të planifikuar hapat e ardhshëm. Faleminderit për bashkëpunimin e shkëlqyer BE dhe SHBA në dialog”, ka shkruar ai.

Më 7 dhjetor, i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun mes dy vendeve respektive.

Këto komente, Lajçak i ka bërë në Bruksel gjatë debatit për zgjerimin të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës”, ku ka theksuar se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihet as në ëndërr, pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim”, tha ai.

Top-diplomati sllovak ka bërë thirrje që të mos humbet koha për implementimin e obligimeve që janë derivat i dialogut dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtim drejt BE-së.

Lajçak ka theksuar se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.