Miroslav Lajçak

Lajçak ia kthen Gërvallës ‘live’: BE-ja e ka bërë qëndrimin e qartë, autorët e Bajnskës duhet të mbahen përgjegjës

Emisari evropian, Miroslav Lajçak i është përgjigjur kryediplomates Donika Gërvalla, pasi ajo në një panel ku po diskutojnë aktualisht, tha se Bashkimi Evropian s’e ka bërë të qartë qëndrimin rreth sulmit të Bajnskës.

Lajçak tha se pozicioni i BE-së ka qenë shumë i qartë, që autorët e veprimeve kriminale më 24 shtator, por edhe 29 maj, duhet të mbahen përgjegjës.

Sipas tij, BE-ja e ka bërë me dije këtë qëndrim edhe nëpër takimet bilaterale.

“Do të doja të thoja që pozicioni i BE-së është formalizuar dhe ka qenë shumë i qartë, autorët e veprimeve kriminale më 24 shtator, por edhe më 29 maj, duhet të mbahen përgjegjës. Nuk ka imunitet për ata, dhe BE-ja e ka ripërsëritur këtë pozicion dhe në takime bilaterale.” – tha ai, transmeton Nacionale.

Në lidhje me sulmin e Bajnskës, Gërvalla paraprakisht përmendi që Millan Radojiçiq, që tashmë e ka pranuar se ishte organizator, nuk është dënuar ende.

Gërvalla tha se “do të dëshironte t’i dëgjonte Lajçakun apo O’Brien” duke e komentuar këtë, dhe sipas saj, BE-ja ende s’ia ka vendosur rastit emrin që duhet.

“Derisa të gjithë duam të shohim të ardhmen, është e kaluara e Serbisë që s’na lë të ecim përpara dhe për këtë, për Bajsnkën, për mungesën e dënimit të Radojiçiq, apo të mbahet, do të doja t’i dëgjoja z.O’Brien apo z.Lajçak, si e komentojnë këtë, sepse në Kosovë ne kemi thënë qartë çka është, është akt i agresionit ndaj Kosovës dhe partnerët tanë, dhe partnerët tanë duhet – ShBA-ja e ka bërë, BE-ja ende – duhet ta emërtojnë ashtu siç duhet të emërtohet.” – tha ajo.