Lajçak flet pas dështimit të marrëveshjes për targat, ka një thirrje për Kosovën e Serbinë

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka folur pas dështimit të arritjes së marrëveshjes për targa.

Lajçak në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka kërkuar nga palët që të përmbahen nga veprime që mund të cenojnë sigurinë.

Lajcak i ka ftuar kryenegociatorët që të takohen sërish për të arritur marrëveshje dhe për të vazhduar diskutimet për çështje tjera.

“Sot nuk është arritur asnjë marrëveshje për targat. I ftoj kryenegociatorët të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara dhe për të vazhduar diskutimet për çështje të tjera aktuale. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”, ka shkruar ai.

Ndërsa kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha më 21 prill se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi.

Këto deklarata të Bislimit vijnë pasi në Bruksel, ai fillimisht u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.