Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur për takimet që kishte këto dy ditë me liderët kosovarë.
Lajçak në një konferencë për media ka thënë se që nga vizita e tij e parë është bërë progres mjaft i madh.
Lajçak ka thënë se po negociohet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese për të dy palët, dhe që do i sjellë të dy vendet më afër Bashkimit Evropian, shkruan Reporteri.
“Takova të gjithë liderët politikë dhe mu dha mundësia të përfitojë një pasqyrë për situatën politike. Kjo është vizita ime e dytë dhe që atëherë kemi bërë një progres të mirë. Ne u dakorduam se cilat janë elementet kryesore të marrëveshjes dhe tani po i negociojmë të gjitha këto çështje në detaje. Po e negociojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese për të dy palët, një marrëveshje që do i sjellë të dy vendet më afër Bashkimit Evropian. Kryeministri Hoti ka treguar lidership të vërtetë në fillimin e dialogut në rrethana të vështira. E sheh se ai kritikohet shpesh këtu por ai ka treguar përkushtim të madh dhe shtetet e BE-së e çmojnë atë”, u shpreh Lajçak.
Ai foli edhe për çështjen e Asociacionit, derisa tha se nuk do të ketë marrëveshje finale pa Asociacionin. Lajçak u shpreh se Kosova duhet ta implementojë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel më 2013 dhe më pas më 2015.
“Tema e asociacionit është përballë në Kosovë me nivel të lartë të emocioneve, por të jem i qartë që BE nuk ka interes në destabilizimin e Kosovës, por Kosova ka bërë zotim në Marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 dhe duhet të tregojë konsistencë dhe respektim të marrëveshjes. Hapi i radhës duhet të jetë të diskutohet statuti dhe kjo është ajo çka presim. Implementimi i marrëveshjes për Asociacionin do të jetë pas nënshkrimit, por detajet duhet të diskutohen.
Nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin, Kosova duhet ta implementojë marrëveshjen, është pjesë e dialogut. Ne kërkojmë nga politikanët që vetëm ta implementojnë atë që e kanë nënshkruar. Unë nuk kam takuar asnjë partner këto dy ditë që ka problem me këtë çështje.”, u shpreh Lajçak në Prishtinë.







