Lajçak: Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE të jetë në qendër të vëmendjes

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë në qendër të vëmendjes.

Në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik” të Forumit të Dubrovnikut që po mbahet të shtunën, Lajçaku ka thënë se efekti pozitiv që ka sjellë lufta në Ukrainë është të kuptuarit se zgjerimi duhet të kthehet në lojë.

“Procesi i zgjerimit ka humbur dinamikën dhe energjinë dhe është e qartë se diçka duhet të bëhet, dhe do të thosha ironikisht se agresioni rus në Ukrainë ka sjellë një efekt pozitiv, të kuptuarit që kemi punë të pakryera në Ballkan dhe duhet të jemi seriozë e që zgjerimi të kthehet në lojë, të jetë në qendër të vëmendjes dhe BE-ja të kuptojë që pa pranim të shteteve të partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor s’do të jemi të plotë”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se vendeve të Ballkanit Perëndimor u është dhënë premtimi tash e 20 vjet që do t’i bashkohen BE-së, por në këto dy dekada vcetëm Kroacia ka arritur të hyjë në BE.

Derisa ka folur për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, Lajçaku ka thënë se kjo sfidë ka ndikim në çdo shtet të rajonit.

“Më herët gjatë vitit, në shkurt dhe mars arritëm dy marrëveshje me rezultate të mëdha rrugës drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo na jep platformë të re dhe rrugë të qartë drejt normalizimit të raporteve me elemente shumë të qarta në të. Kam thënë se pas marsit, tani s’ka kthim prapa”, ka theksuar ai.