“Lagështi, kundërmim, terr”, IPK alarmon se gjendja në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë paraqet rrezik për të ndaluarit dhe policët

Një prej qendrave më të mëdha të ndalimit në Kosovës është në gjendje të mjerueshme dhe paraqet rrezik për të ndaluarit por edhe për zyrtarët policorë.

Bëhet fjalë për Qendrën e Ndalimit në Prishtinë. Kështu kanë vlerësuar inspektorët e Inspektoratit Policor të Kosovës në një raport të inspektimit të rregullt në fushën “Menaxhimi i procedurave të arrestimit dhe ndalimit”, shkruan Demokracia.com.

“Qendra e Ndalimit në Prishtinë nuk plotëson kushtet e përgjithshme për të funksionuar si qendër e tillë, është e vendosur në bodrum dhe paraqet rrezik për shëndetin e zyrtarëve policor të cilët qëndrojnë aty për kohë të gjatë për kryerjen e detyrave dhe po ashtu për të ndaluarit. Kjo qendër ka ndriçim të dobët natyral, ka prezencë të lagështisë, në të kundërmojnë erëra të këqija, tualetet janë jashtë dhomave të ndalimit”, thuhet në raport.

IPK ka konstatuar se edhe gypat e ngrohjes së ndërtesës ku është e vendosur drejtoria rajonale dhe Stacioni Policor në Prishtinë, kalojnë përmes hapësirës së kësaj qendre.

Kjo qendër ka numrin më të madh të të ndaluarve krahasuar me qendrat e tjera.

Ky inspektim është është bërë bazuar në planin Planin Vjetor të Inspektimeve të Rregullta për vitin 2022 dhe është është iniciuar inspektimi për të vlerësuar menaxhimin e procedurave të arrestimit dhe ndalimit.

Inspektimi është përqendruar në stacionet policore që kanë qendra aktive të ndalimit, në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike të Departamentit për Operacione, shkruan Demokracia.com.

Inicimi i inspektimit është ndikuar nga nevoja që Policia e Kosovës të sigurohet se personat e arrestuar dhe ndaluar trajtohen dinjitetshëm, me fokus të veçantë në qendrat e ndalimit, si dhe për t’u siguruar se në qendrat e tilla, ka kushte të përshtatshme dhe të duhura për mbajtjen e personave të ndaluar (kushtet fizike dhe të sigurisë), shkruan Demokracia.com.

IPK në kuadër të Raportit të inspektimit ka dhënë gjashtë (6) rekomandime për Policinë e Kosovës që kanë të bëjnë me shtimin e kontrolleve mbi aplikimin e formularëve unik të ndalimit, kompletimin e dosjeve të të ndaluarve, avancimin e kushteve brenda qendrave të ndalimit, si dhe shërbimet logjistike.

Rekomandimi i parë është aplikimi i formularëve të të drejtave të të ndaluarve.

“IPK0ja u rekomandon mbikëqyrësve dhe personelit përgjegjës në qendrat e ndalimit, të sigurohen e në të gjitha rastet e arrestimit-ndalimit, aplikohet të drejtat e të ndaluarve, duke përdorur formularët standard, të harmonizuar me aktet ligjore në fuqi”, thuhet në raport.

Rekomandimi i dytë është që të bëhet dokumentimi i Aktvendimit mbin ndalimin në kuadër të dosjes, shkruan Demokracia.com.
“IPK-ja u rekomandon zyrtarëve përgjegjës në qendrat e Ndalimit që të sigurohen se si pjesë e dosjes së të ndaluarit të jetë I bashkangjitur edhe aktvendimi mbi ndalimin, si akt I lëshuar nga autoriteti kompetent, drejt mbajtjes së duhur të dosjes së të ndaluarve në Qendrat e Ndalimit”, thuhet tutje në raport.

Gjatë inspektimit janë intervistuar njëzet të ndaluar dhe janë kontrolluar 342 dosje në të gjitha qendrat e ndalimit. Dosjet e ndalimit pasqyrojnë se në 99 % të rasteve, të ndaluarve iu është kumtuar arsyeja e arrestimit dhe iu janë lexuar të drejtat.

Tjetër rekomandim i IPK-së është që të bëhet dokumentimi i trajtimit shëndetësor përmes formularit përkatës.

“IPK-ja u rekomandon përgjegjësve në Qendrat e Ndalimit (Suharekë, Gjakovë dhe Rahovec) që gjatë zbatimit të procedurave ligjore me të ndaluarit, të rritet niveli I përgjegjësisë për plotësimin e saktë të formularit mbi gjendjen mjekësore dhe trajtimin mjekësor të të ndalurave gjatë kohës sa ata qëndrojnë në hapësirat e ndalimit”, është vlerësuar nga inspektorët e IPK-së.

Po ashtu IPK ka rekomanduar edhe përdorimin e formularëve të standardizuar në kuadër të dosjes.

“IPK-ja u rekomandon udhëheqësve në Qendrat e Ndalimit, që të sigurohen se format, të cilat plotësohen për personat e ndaluar, të jenë të standardizuar9unike0, si dhe renditja e tyre Brenda dosjeve, të bëhet sic e parasheh Procedura Standarde e Operimit për Qendrat e Ndalimit”, ka vlerësuar Inspektorati Policor.

Gjithashtu IPK u ka rekomanduar mbikëqyrësve dhe drejtuesve të qendrave që t’i adresojnë problemet dhe shqetësimet lidhur me kushtet fizike dhe të sigurisë në qendrat e ndalimit (videokamerat, aparatet për fikjen e zjarrit , ndihmën e parë, orenditë për pushim, ventilimi, sistemi për thirrje të zyrtarëve policor nga të ndaluarit, plani i evakuimit) në mënyrë që qendrat e tilla t’i përmbushin kushtet e tilla, duke u mundësuar të ndaluarve kushte të nevojshme për kohën e ndalimit apo qëndrimit në to. Rekomandimi i fundit është që drejtuesit dhe zyrtarët përgjegjës për qendrat e ndalimit, të sigurojnë librat standard mbi evidencat e përcaktuara për Qendrat e Ndalimi, konform Procedurës Standarde të Operimit./ Demokracia.com/