Labinot Tahiri mban premtimin: Pasaportën time dhe të familjes i dorëzojë më 1 janar
Deputeti nga radhët e Aleancës për Kosovën e Re, Labinot Tahiri ditë më parë përmes një video në profilin e tij personal në Facebook, ka premtuar se nëse deri në dhjetor nuk bëhet liberalizimi i vizave, ai bashkë me familjen e tij do të dorëzojnë pasaportat në janar si shenjë proteste.
Shpresat që vizat të hiqen këtë vit, iu janë shuar jo vetëm qytetarëve por edhe krerëve të shtetit, të cilët kishin pritur lajme të mira nga vizita e Komisionarit të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.
Por këto deklarata u ‘hudhën’ poshtë pas takimeve që Hahn pati me krerët e shtetit në Kosovë.
Në një konferencë për media, komisionari i BE-së, Johannes Hahn u deklaruar se procesi i liberalizimit të vizave mund të shtyhet deri në 2020.
E këto deklarata nuk u pritën mirë nga publiku dhe institucionet në Kosovë, që sipas tyre të gjitha kushtet ishin plotësuar që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në Evropë.
Në një prononcim për Ballkani.info, deputeti Labinot Tahiri ka deklaruar se shtyrja e afatit të liberalizimit të vizave dhe deklaratat e Hahn ishin shumë zhgënjyese për skenën politike dhe qytetarët e Kosovës. Ai gjithashtu ka thënë se pasaportën e tij dhe pasaportat e familjarëve të tij do t’i dorëzojë më 1 janar.
“Është zhgënjyese që afati për liberalizimin e vizave është shtyer deri më 2020. Unë do të dorëzojë pasaportat e familjes time bashkë me timen të Shqipërisë që e kam, e kjo si shenjë proteste ndaj mos liberalizimit të vizave këtë vit. Këtë iu kam premtuar qytetarëve dhe do të mbaj fjalën” ka thënë Tahiri për Ballkani.info.
Kujtojmë se Kosova kishte plotësuar dy kushtet e fundit të Bashkimit Evropian për të marrë vendimin për liberalizim të vizave, por edhe pas përmbushjes së tyre liberalizimi i vizave është shtyer deri në 2020. /Ballkani.info/