Labinot Gruda ‘avulloi’ 2 milionët e Thesarit tek kompania nga Llapushniku, pronarët në arrati

Një punëtor i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, dyshohet se ka bërë transferimin e 2,077,995 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në adresë kompanisë, LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik. Pronarët e kësaj kompanie Valon Shala edhe Kadri Shala janë në arrati.

Policia ka njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje, pas hetimeve të zhvilluara, është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati. Bëhet fjalë për Labinot Grudën, ku pos pronës së tij në Komoran, është bastisur edhe banesa në Prishtinë dhe i është konfiskuar një veturë e tipit Audi A4.

“LDA Group” është kompania të cilës iu transferuan paratë, pronë e Valon Shalës, sipas të dhënave publike të cilat figurojnë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Valon Shala, bashkë me familjarin e tij Kadri Shala janë në arrati për të njëjtin rast që u arrestua sot Gruda.

Kompania ka bazën në Komunën e Drenasit, konkretisht në fshatin Llapushnik të kësaj komune.

Bazuar në të dhënat e publikuara në ARBK, kompania “LDA Group” është regjistruar si biznes më 21 gusht të vitit 2019.

Zyrtarisht është konfirmuar kërkimi i bllokimit të llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ky rast është thënë se ka ndodhur me 9 tetor 2020, ndërkaq arrestimi i parë është bërë mbrëmë më 20 tetor.

Përmes një konference për media edhe ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se kanë ndodhur katër transaksione të paligjshme në vlerë prej më shumë se 2.1 milionë eurosh, në një llogari të një operatori privat.

Ajo e ka cilësuar këtë rast si “të izoluar”.

Bajrami në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se rastin në organet e rendit ka denoncuar Ministria e Financave.

“Ky është një transaksion bankar dhe kemi gjurmuar të gjitha transakionet që janë bërë si rezultat i këtij transaksioni. Organet e rendit janë duke u marrë, për të parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka deklaruar ajo.

Mediet raportuan se i arrestuari Gruda është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ka qenë drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Drenasit.

Por ai në nëntor të vitit 2018 ishte larguar nga kjo detyrë nga kryetari i Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ai ishte liruar nga detyra për arsye te tij personale.