Labi mbron kërkesën e tij për ministër të Ferizajt, thotë se nuk ishte kërcënim ndaj Qeverisë

Deputeti i AKR’së në Kuvendin e Kosovës, Labinot Tahiri u përfol në media se ka qenë shkaktar i shkarkimit të ministrit Bejtush Gashi i cili ishte i ngarkuar në detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme. Ndonëse kjo u pa si shantazh që deputeti po ia bën Qeverinë në këmbim të votës së tij, Tahiri e quan kërkesen e tij që qeveria të ketë ministër të Ferizajt krejt legjitime.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk u bë rehat me ministra pasi, para Gashit ishte shkarkuar ministri i parë i kësaj ministrie, Flamur Sefaj.

Ndërsa emërimi i ministrit të ri, Ekrem Mustafa, ka gëzuar veçmas një deputet. Labinot Tahiri prej kohësh kërkonte që të ketë një ministër që vjen nga Ferizaj.

Ndaj Tahirit u drejtuan fyerje e sharje, se e ka shantazhuar AKR-në për emërimin e lokalistit të tij, mirëpo ai sot, për lajmi.net, e ka komentuar gjithë rrjedhën e ngjarjes.

Tahiri i ka thënë se janë injorantë të gjithë ata që po e quajnë kërkesën e tij legjitime, shantazh, pasi thotë se kjo kërkesë ka mundur të jetë prej secilit deputetë në Kuvendin e Kosovës.

“Disa nga analistët që nuk ja donë të mirën Ferizajt, e paskan pas shumë të vështirë të pranojnë faktin se Ferizaj mund ta ketë një ministër. Nuk jam sjellë kurrë si lokalist për arsye se i takoj Kosovës, dhe jam deputet me gjithë votat e shqiptarëve të Kosovës”, është shprehur ai.

Tutje, deputeti ka thënë se nuk është e nevojshëm gjithë kjo zhurmë pasi ministri nuk i takon vetëm Ferizajt, por gjithë Kosovës.

“Çdo deputet ka të drejtë, nga vendi që vjen, me kërku të mira për familjen e tij, familja ime është Ferizaj. Po të kishte pasur Ferizaj ministër sigurisht që kurrë nuk të kisha ngrit zërin, por nuk do të thotë, sic po flitet e po diskutohet nga disa injorant se gjoja kam shantazhu. Unë nuk shantazhoj askënd, e as nuk i duroj shantazhet e as kërcënimet, nuk jam i tillë. Unë jam i drejtë, luftoj për të drejta e qytetarëve të Ferizajt, për të drejtat e qytetarëve të Kosovës. Nuk do të thotë që ne po e marrin ministrinë e po e çojmë në shpi, por ministri i takon krejt Kosovës”, ka thënë mes tjerash Tahiri për lajmi.net.

Deputeti që dikur ishte pjesë e Grupit Parlamentar të AKR-së, tani vepron si deputeti i pavarur tha se kërkesa e tij për të pasur një ministër nga Ferizaj, ishte qysh në kohen e formimit të Qeverisë.

“Në momentin që është formu qeveria unë kam pasur kërkesë që Ferizaj të jetë më ministër, nuk ka ndodhë kjo sot. Kjo është shumë e qëlluar për ata që mendoj mirë me kokën e tyre. Unë e kam kërkuar qe 1 vit, pse nuk kanë kërkuar deputetët e tjerë ose të tjerë politikanë të Ferizajt në të kaluarën nuk e di. Por, neve në momentin që jemi futur në qeveri, i kam kërku që Ferizaj ta ketë një ministër, por nuk i kamë dhënë presion kurrë”, potencoi ai.

Kjo ujdi, sipas Tahirit, është arritur së bashku me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Me presidentin tonë, Behgjet Pacolli e kemi bërë me mirëkuptim, që kur të bëhet reformatimi i ministrave, që ndodhë çdo gjashtë muaj, siç po i bëjnë edhe të tjera parti politike, jo vetëm AKR-ja, atëherë do t’i vine koha edhe i Ferizajt. Sikur të kisha qenë shantazhues, apo njëri që kisha bërë presione siç po flitet, që është shumë e pahijshme kjo. Unë që kur është formuar Qeveria, më 7 shtator, u kisha thënë se nuk e keni votën time se Ferizaj nuk e kanë këtë, këtë, këtë. Kam qenë shumë i mirëkuptueshëm, sepse unë jam durimtar dhe me kohë senet e mira vijnë ngadalë”, deklaroi deputeti.

Tahiri tha se duhet të kihet parasysh se nuk ka të bëjë kjo me manipulim ose gjera të tjera personale në lidhje me rastin.