Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, të takimin e 248-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të martën, tha se dënueshmëria e gjykatave për rastet e korrupsionit është e ulët.

Këtë deklarim, Gashi e bëri me rastin e raportimit të punës tremujore janar-mars 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sa i përket sfidave, numri i madh i lëndëve të pranuara duke përfshirë të gjitha natyrat, numri i vogël i prokurorëve në tri departamente si pasojë e avancimeve, pensionimeve apo lëvizjeve brenda sistemit. Sfidë tjetër trajtimi i lëndëve të natyrës së krimit financiar dhe korrupsionit qysh e ceka më lartë numri i madh i lëndëve të natyrës “tri P”, kryerës të panjohur dhe trajtimi i tyre, ngritja e nivelit të sigurisë brenda objektit të prokurorisë, mosfunksionimi konstant i sistemit të ventilimit, klimatizimit dhe ngrohjes në objektin C, si dhe sfidë tjetër është ndëshkueshmëria e ulët nga gjykata për kryerësit e veprave penale të korrupsionit” , tha Gashi.

Anëtari i KPK-së kërkon nga kryeprokurorët që të raportojnë për secilin prokuror se sa lëndë zgjidhin

Prishtinë- Në mbledhjen e 248-të Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të mbajtur të martën, nga kryeprokurorët janë prezantuar raportet e tremujorit të parë të 2024, me ç’rast anëtari i KPK-së, Arian Gashi kërkoi që në raportet e tyre të përfshihen edhe raportimi për secilin prokuror që të dihet për secilin se sa lëndë i kanë përfunduar.

“Të kemi raportim për secilin prokuror, që të dihet saktë për secilin prokuror se sa lëndë ka krye, nuk paraqet problem thjeshtë të jenë të përfshirë në raport”, tha Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë mbledhje është bërë prezantimi i raportit të punës për periudhën tremujore janar-mars 2024 nga ana e Kryeprokurorëve të Prokurorisë së Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt, Gjakovës Gjilanit, Mitrovicës, Pejës, Apelit dhe Prokurorisë Speciale.

Të gjitha raportimet janë miratuar nga ana e anëtarëve të KPK-së.

Fillimisht, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala paraqiti raportin e tij të punës, duke thënë se për periudhën tremujore janar- mars 2024 janë ngritur 141 aktakuza, ndërsa tha se sfidë mbetet çështja e klimatizimit brenda prokurorisë.

Tutje, për Prokurorinë e Apelit raportoi prokurori Shkelzen Ibrahimi, i cili tha se tashmë brenda Prokurorisë së Apelit është funksionalizuar Departamenti për të Mitur.

Po ashtu duke u përgjigjur në pyetje e anëtarit të KPK, Milot Krasniqit, Ihrabimi tha se pjesëmarrja nëpër seancat e kolegjiumeve në Gjykatën e Apelit është problematik për shkak të numrit të vogël të prokurorëve.

Mbledhja vijoi me raportimin lidhur me punën e Prokurorisë Speciale, ku zëvendësprokurori Valdet Gashi tha se për periudhën janar mars 2024 kanë pranuar 68 lëndë dhe se nga aktakuzat e ngritura kanë marrë 15 aktgjykime dënuese për këtë periudhë tremujore.

Më pas raportimi vazhdoi me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi i cili tha se si prokurori trajtojnë me urgjencë rastet që janë me masa të sigurisë, të dhunës në familje, duke shtuar si sfidë mbetet çështjen e klimatizimit në objektin e prokurorisë.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarit të KPK-së, Arian Gashi, kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se ka pasur takim me kryetaren e Gjykatës Themelore të Prishtinës që të adresohen lëndët që janë në prag të parashkrimit.

Tutje, me raportim vijoi Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari i cili tha se si prokuror për periudhën janar-mars 2024 kanë pranuar 18 ankesa ndaj aktgjykimeve dhe se është diskutuar edhe me ushtruesin e detyrës se Kryeprokurorit, Besim Kelmendin lidhur me ankesat në rastet e dhunë në familje.

Ndërsa, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi tha se gjatë kësaj periudhe kanë pranuar 402 lëndë dhe se kanë ngritur 315 aktakuza, duke shtuar se në fokus të kësaj prokurori janë lëndët e natyrës së korrupsionit.

Ndërkaq, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu tha se kanë aplikuar në numër të madh të rasteve mekanizmin për zgjidhje alternative të kontesteve dhe se gjatë tremujorit janar- mars 2024 kanë pranuar 460 aktgjykime dënuese.

Me pas raportimin e vazhdoi përfaqësuesi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, prokurori Njazi Rexha i cili tha se si prokurori gjatë kësaj periudhe kanë ngritur 234 aktakuza dhe se kanë pranuar në total 116 aktgjykime dënuese, të gjitha këto për periudhën mujore janar-mars 2024.

Por, prokurori Rexha theksoi se si prokurori janë ballafaquar me mungesë të prokurorëve dhe se shtoi se tashmë kanë ardhur katër prokuror shtesë dhe se të njëjtit, duke shtuar se janë ngarkuar me lëndë.

Krejt në fund raportimin për Prokurorinë e Pejës e dha edhe Zëvendës-kryeprokurori Ersan Qavolli, i cili tha se kanë pranuar 579 kallëzime penale, kurse kanë përfunduar 780 lëndë dhe kanë konfiskuar 35 mijë euro, 3 kamion dhe 2 vetura.

Po ashtu Qavolli tha se ex-officio kanë ndërmarrë veprime për ngritje të aktakuzave për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar e që disa nga to edhe kanë përfunduar me aktgjykim dënuese.

Ndërkaq, nga anëtari i KPK-së Gashi kërkoi që meqenëse Departamenti për Krime të Rënda ka më pak lëndë, prokurorët e këtij departamenti t’i dalin në ndihmë Departamentit për të Mitur pasi që janë më të ngarkuar.

Në fund nga anëtari i KPK-së, Jetish Maloku u kërkua që formulari për raportim tremujorë të respektohet nga ana e kryeprokurorëve për çka edhe anëtari tjetër Kelmendi tha se nëse hareve të tjera nuk respektohet ky formular atëherë nuk do të miratohen raportet tremujore.

Gjithashtu, Kelmendi tha se për raporti duhet të jenë vetë Kryeprokurorët dhe jo vetëm pse nuk u vihen në Prishtinë të mos vijnë në raportim, përjashtimisht rasteve kur janë të nxënë apo kanë arsye tjetra të qëndrueshme.