COVID-19

Ky shtet është drejt kolapsit spitalor, mbi 240 mijë të infektuar dhe mbi 16 mijë viktima

Presidenti brazilian vazhdon të shprehë kundërshti ndaj masave strikte kundër koronavirusit, por sëmundja infektive në vend po përhapet rrezikshëm dhe po vë në rrezik sistemin shëndetësor.

Brazili është vatra e katërt më e madhe në botë e të infektuarve me koronavirus, ndërsa pandemia po rrezikon kolapsin e spitaleve më të mëdha të vendit.

Mbi 240 mijë persona raportohet se janë bartës të infeksionit, shifër e cila ka kaluar bilancet e Spanjës dhe Italisë, duke u renditur pas SHBA-së, Rusisë dhe shumë afër Mbretërisë së Bashkuar.

Sëmundja infektive, ndërkohë, ka lënë më shumë se 16 mijë të vdekur.

Në qytetin më të madh të vendit, në San-Paolo, autoritetet shëndetësore kanë dhënë alarmin se është rritur kërkesa për shtretër për të sëmurët dhe brenda dy javëve nuk do ketë më vende të lira për t’u ardhur në shërbim pacientëve.

Për shkak të testimeve të ulëta në popullatë, ekspertët vendës të shëndetësisë janë të shqetësuar se numri i të infektuarve mund të jetë edhe më i lartë sesa shifrat zyrtare.

Presidenti brazilian Zhair Bolsonaro vijon t’i kundërshtojë masat e autoriteteve për izolimin e qytetarëve me argumentin se distancimi social ka për ta dëmtuar shumë ekonominë.

Të dielën ai u përshëndet dhe pozoi me grupe qytetarësh të San-Paolos të cilët njësoj si kreu i shtetit protestonin për pasojat e krizës te ekonomia.

Në Amerikën Latine, vendet më të prekura përpos Brazilit janë Ekuadori, Kili, Meksika dhe Peruja të cilat numërojnë së bashku rreth 400 mijë raste dhe mbi 23 mijë viktima në gjithë kontinentin.