Ky pacient nga Franca mund ta ndryshoj historinë e koronavirusit në Europë

Një 43-vjeçar francez është shprehur se mund të jetë “pacienti zero” i këtij vendi pasi është infektuar me koronavirus në dhjetorin e kaluar.

Amirouche Hammar ka folur për rastin e tij, pasi një test i ri bërë nga kampionet që u morën për gripin në një spital afër Parisit, zbuluan se ai ishte pozitiv për virusin korona që më 27 dhjetor.

Rezultat sugjerojnë se virusi ka qenë i pranishëm në Francë shumë kohë më parë se 24 janari që është edhe data kur u konfirmua rasti i parë.

Duke folur për mediat vendase, Hammar tha se ai kishte pasur dhimbje serioze në kraharor por mjekët nga ana tjetër kishin mbetur konfuzë nga simptomat e tij përpara se ta diagnostikonin me infeksion në mushkëri.

Bashkëshortja e tij punon në një supermarket në afërsi të Aeroportit Charles de Gaulle ku pasagjerët bëjnë pazare zakonisht pasi ulen. Mjeku që zbuloi çështjen tha se gruaja e pacientit kishte punuar në një market peshku ku kishte kolegë me origjinë nga Kina por nuk ka pasur simptoma.

Ky rast në Francë sjell edhe dyshime mbi kohën se kur ka nisur të përhapet në të vërtetë virusi.

Kjo pasi Kina e ka raportuar virusin e ri tek Organizata Botërore e Shëndetësisë më 31 dhjetor, por nuk ka pasur raste të konfirmuara deri më 13 janar, ndërsa Franca e regjistroi për herë të parë zyrtarisht një të infektuar më 24 janar.