“President, edhe deri kur do t’i ndani njerëzit”? Një gazetare i ka bërë pikërisht këtë pyetje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por ajo nuk ka marrë një përgjigje të saktë. Të themi të vërtetën, asnjë qytetar serb që ka ndjekur deklaratat e liderit të SNS-së nuk i është bërë kjo pyetje para gazetarit. I njëjti lider i partisë më të madhe në Serbi që shfrytëzoi edhe zinë treditore për të folur për opozitën. Ai foli edhe për unitetin që i duhet dëshpërimisht vendit në këto momente, por në vend të “unitetit shumë të nevojshëm” Serbia mori kundër-miting më 26 maj, polarizimin shtesë të shoqërisë në “ata” dhe “ne” dhe një fiasko total të qeverisë kur bëhet fjalë për riparimin e pasojave që kanë goditur vendin si kurrë më parë.
“Ju jeni president i të gjithë qytetarëve dhe këtu i ndani mediat në media manjate dhe jo manjate. A nuk mendoni se kjo ka një ndikim në situatën në të cilën ndodhemi? Mendoni se fotoja e kryeministres Brnabiq që ka postuar në rrjetet sociale është e papërshtatshme dhe është tallur me të gjithë qytetarët që ishin në protesta? A nuk mendoni se e gjithë kjo është pak e pa vend në këto 10 ditë pas dy masakrave?”, u pyet Vuçiq në një konferencë për shtyp të dielën në Smederevë.
Çdo qytetar në Gazelë në protestën e së premtes ndoshta ka pyetur veten se pse presidenti po përçan sërish popullin. I gjithë vendi ka bërë të njëjtën pyetje që nga 3 maji, pas tragjedisë së madhe që goditi vendin, shkruan N1.
“Për çfarë? Prandaj flitet për unitet, për të cilin kemi shumë nevojë, ndërkohë që qeveria vepron krejtësisht në kundërshtim me idetë që mbron: organizohen kundër tubime, kërcënohen shkarkime, hidhen anatemime nga mediat pranë regjimit në pushtet dhe krijohet një ndarje artificiale në “ne” dhe “ata” “e saktë” dhe “e pasaktë”, “në linjën e presidentit” dhe “kundër presidentit””, thuhet nw tekstin e televizionit tw pavarur serb.
Sipas Kushtetutës, Vuçiq është i detyruar të përfaqësojë unitetin e vendit, por në praktikë gjithçka duket se është e kundërta. Në vend të bashkimit, dhe taktikave të njëtrajtshme për të kapërcyer krizën më të madhe sociale në historinë moderne të vendit, qytetarët morën përçarje që më së shumti u nisën nga kurora e Andriqit.
Vuçiq nuk donte të sulmonte dhe të fliste për opozitën gjatë ditës së zisë, por e kompensoi shumë shpejt të hënën në TV Hepi me Milomir Mariqin. Ai tha se redaktori i “Tabloidit” Millovan Brkiq është ideologu kryesor i opozitës, gjë që është e pavlerë të përmendet.
“Ata filluan menjëherë të mbrojnë reality show-t e tyre. Meqenëse reality show-t e tyre janë të mira, e disa të tjerë jo. Kështu që ata nuk janë as të gatshëm të flasin për këtë. Tërë luftën kundër dhunës e reduktuan në kërkesa politike, që është “Vuçiq, largohu.” Mirë, e kuptova. I kuptova kërkesat tuaja, megjithëse nuk e kuptoja se cili ishte faji im në lidhje me këto krime. Nuk është dashur t’i gënjeje njerëzit se do të flasësh për luftën kundër dhunës”, shpjegoi Vuçiq.
Ai e quajti opozitën joserioze dhe një ditë pas shfaqjes dy-orëshe te Mariqi, presidenti serb vendosi të flasë përmes Novosti-t, duke bërë thirrje për një kundër-miting të madh më 26 maj. Ai mohoi se në protesta ishin mbi 9 mijë persona, gjë që revoltoi edhe më shumë qytetarët.
Ai të dielën tha qartë se nuk do ta dorëzojë “Bato Gashiqin” (Bratislav Gashiq, ministër i Punwve tw Brendshme), se nuk është fajtor për asgjë dhe se nuk do ta zëvendësojë. Mesazhet e Vuçiqit ishin të qarta dhe deri më tani nuk kanë çuar në korrigjim të dëmeve që po prekin një komb të tërë.
Politologu Mladen Mrdalj thotë se Vuçiq do të preferonte të bashkonte Serbinë, por në bindje absolute ndaj regjimit në pushtet.
“Për shkak se nuk ia del, ai, si çdo politikan me prirje diktatoriale, beson se shoqëria është e paqëndrueshme vetëm kur qeveria e tij është e paqëndrueshme. Prandaj, për të, demonstratat masive simbolizojnë paqëndrueshmëri që mund të rritet, gjë që e detyron atë që pjesëmarrësit e demonstratave para pjesës tjetër të Serbisë t’i etiketojë si shkaktar të destabilitetit dhe jo si reagim ndaj keqadministrimit të kahershëm”, tha Mrdalj.
Mrdalj thekson se Vuçiq po u tregon mbështetësve të tij me një kundër tubim se forca është ende në anën e tij.
“Ky është motivi i një pjese të mirë të mbështetësve të Vuçiqit, oportunizmi i pastër. Nga ana tjetër, kjo tregon potencialin e Serbisë për konflikte civile, dhe Vuçiqin si dikush që mund ta parandalojë atë nëse nuk preket pushteti i tij absolut. Pra kthehemi te thelbi – Vuçiqi është qëllimi i qeverisë, kurse Serbia është mjeti”, përfundon Mrdalj.







