Ky është problemi kyç, pas vendimit për zgjedhje

Gjykata Kushtetuese, mbrëmë përmes një vendimi, shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, derisa vendi pritet të shkojë brenda 40 ditësh në zgjedhje.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një postimi në FB ka thënë se pikërisht buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë një nga çështjet problematike me të cilat do të ballafaqohet spektri politik.

Ai thotë se vendi rrezikon të futet në krizë buxhetore, e që asnjë pagesë nuk do të mund të realizohej nga buxheti i shtetit pas muajit janar.

Ky është postimi i plotë i tij:

Një prej çështjeve më problematike me të cilat do të përballet spektri politik, pas vendimit të Kushtetueses, është buxheti për vitin e ardhshëm. Neni 24.1, paragrafi b, i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, parasheh zgjatjen automatike e ndarjeve buxhetore vetëm për muajin janar të vitit pasues fiskal. Për zgjatjet tjera, që nuk mund të kalojnë periudhën 3 mujore, nevojitet vendim i Kuvendit.

Në rastin tonë, pas shpalljes së zgjedhjeve, juridikisht Kuvendi nuk do të ketë mundësi të mbledhet, andaj nuk do të ketë vendim për zgjatje. E meqë zgjedhjet mbahen në fund të janarit, është praktikisht e pamundur që një qeveri e re të formohet në shkurt, e cila do t’a votonte buxhetin, apo një Kuvend që do të votonte për zgjatjen e linjave buxhetore.

Praktikisht, i bie se vendi rrezikon të futet në krizë buxhetore, e që asnjë pagesë nuk do të mund të realizohej nga buxheti i shtetit pas muajit janar.

Opsion, ndonëse tejet diskutabil, mbetet që partitë politike parlamentare të votojnë nesër projektligjin për buxhetin me procedura të përshpejtuara para se U.D. e Presidentit të shpallë datën e zgjedhjeve.

Sidoqoftë, edhe në këtë rast shpërfaqet dilema e ngritur pikërisht nga LDK: A ka të drejtë Qeveria në detyre të ndërveprojë me Kuvendin? Sipas qëndrimeve të tyre të para disa muajve, jo.