Ky është Fitim Uka, profesori i psikologjisë që ia mësynë sërish Kuvendit të Kosovës

Legjislatura e kaluar ka pasur në përbërje të saj mjaft deputet të rinj, të cilët edhe pse për një periudhë të shkurtër nuk kanë hezituar të jenë zëri i popullit në Kuvend.

Profesori Fitim Uka nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë ndër të tillë

Uka i cili kishte aderuar në vitin 2019 në këtë parti, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019  ka arritur t’i marrë në total 7.915 vota, duke u bërë kështu edhe zyrtarisht deputet në legjislaturën e shtatë.

 Uka u angazhuar maksimalisht në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport si dhe në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku është dalluar për kontributin e tij në përpilimin e Ligjit anti-COVID dhe për amandementimin e statuteve të universiteteve publike në Kuvend.

Ai është  ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Gjilanit. Është themelues i Qendrës për Hulumtime Psiko- Sociale dhe Mjekësore dhe botues i revistës së parë psikologjike në Kosovë “Psika”. Ai është gjithashtu ideator dhe bashkë-themelues i Ambulancës së Psikologjisë Klinike “Uni”, ku edhe ofron psikoterapi për fëmijë dhe adoleshent.

Ka përfunduar studimet master dhe ato të doktoraturës në Gjermani, gjersa njihet edhe për paraqitjet e tij në konferenca të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Uka ka vendosur që edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit të kandidojë për deputet në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kësaj radhe mban numrin 34.

Për më tepër lexoni biografinë e tij:

Fitim Uka u lind më 21 mars 1987, në Prishtinë. Studimet bazike për psikologji i kreu në Universitetin e Prishtinës. Studimet master i ka përfunduar në Universitetin Ludëig Maximilian të Mynihut, Gjermani në një fushë të veçantë si ajo e “Shkencave të të Mësuarit”, ku ka përvetësuar një qasje multidisciplinare mbi të mësuarit dhe edukimin në përgjithësi. Temën e doktoraturës e ka mbrojtur në Universitetin e Freiburgut në Gjermani, me fokus në edukimin e hershëm dhe më specifikisht, me një studim që ka synuar identifikimin e ndërlidhjes në mes të aftësive vetë-rregulluese, inteligjencës dhe suksesit të hershëm akademik të fëmijëve. Për studimet e post-doktoraturës ka qëndruar për një semestër në Universitetin Illinois të Çikagos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i kanë hapur një perspektivë të re studimi në fushën e migrimit dhe shëndetit. Është ligjërues i psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, themelues i Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale e Mjekësore dhe botues i revistës psikologjike “Psika”. Ai ka një bagazh intelektual dhe potencial të jashtëzakonshëm. Fitimi ka disa punime të rëndësishme shkencore në revistat më të njohura ndërkombëtare të psikologjisë. Gjithashtu, numëron mbi 60 paraqitje në konferenca të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë vendit. Si deputet në legjislaturën e fundit z. Uka u angazhua maksimalisht në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport si dhe në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku është dalluar për kontributin e tij në përpilimin e Ligjit anti-COVID dhe për amandementimin e statuteve të universiteteve publike në Kuvend. Fitim Uka është i martuar dhe ka një fëmijë.