Ky është çifti bashkëshortor që u gjet i vdekur në shtëpinë e tyre në Prizren FOTO

Kishin ardhur para dy ditësh nga Suedia, ndërsa sot u gjetën pa shenja jeta në shtëpinë e tyre.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në rrugën “Jusuf Gërvalla” në lagjen “Ortakoll” në Prizren, në një shtëpi banimi janë gjetur dy persona pa shenja jete me inicialet D.H, dhe S.H, të cilët ishin bashkëshortë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar së bashku me policinë dhe ekipin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre.

Madje, sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, në trupat e viktimave janë vërejtur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Gjatë shiqimit në vendin e ngjarjes, është gjetur një armë e zjarrit – pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë arma me të cilën është kryer vepra penale.

Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Sakaq mediat lokale në Prizren, tashmë kanë publikuar fotografinë e çiftit të cilët u gjetën sot të vdekur në shtëpinë e tyre. Derisa mësohet se burri ishte i moshës 60 vjeçare, ndërsa gruaja 55.