Ky do të jetë muaji i hapjes së kufijve: MSH paralajmëron masa për lëvizjen e qytetarëve

Muaji qershor parashihet të jetë muaji i hapjes së kufijve për Kosovën, gjë që e ka paralajmëruar edhe Ministria e Shëndetësisë duke treguar masa të reja.

Hapja e kufijve është paralajmëruar se do të jetë në fazën e tretë,  përkatësisht nga 1 qershor nis rivlerësimi i hapjes së tyre dhe njëjtë do të veprohet edhe me aeroporte.

Zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë, ka njoftuar se me rivlerësimin e hapjes së kufijve do të do të ketë udhëzues se çfarë masa duhet të ndërmerren.

“Në momentin që merret një vendim final për kufijtë dhe aeroportet, i njëjti do të shoqërohet edhe me udhëzues të ngjashëm sikur udhëzuesi për veprimtaritë  e lejuara në fazën e dytë të hapjes graduale ekonomike që ka nisur dje”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Por e gjithë kjo, varet nga situata që do të zhvillohet tutje sa i përket pandemisë dhe numrit të të prekurve.

“Çdo veprimtari para se të lejohet, duhet të shoqërohet me një vlerësim të riskut dhe situatës epidemiologjike në vend sa i përket Covid-19”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Pas lehtësimit të masave në fazën e dytë, përkatësisht që nga 18 maji kur edhe u hapën disa biznese dhe qytetarëve u është mundësuar lëvizja e lirë me kohëzgjatje , faza e tretë e hapjes graduale në Kosovë do të përfshijë, qarkullimin e qytetarëve në bazë të situatës epidemiologjike, transporti urban dhe ndërurban, taksitë, gastronomia në përgjithësi, provimet në Arsimin e Lartë, testi i Maturës dhe Arritshmërisë, hapja e Kinemave dhe Teatrove dhe hapja selektive e Aktiviteteve Sportive.