Ky deputet i LDK’së mohon se do të kalojë në grupin e Vjosa Osmanit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK’së), Ardian Shala, i ka mohuar zërat se ai do të shkojë në grupacionin e ri politik të Vjosa Osmanit.

Nga 20 qershori Vjosa Osmani është përjashtuar nga partia e saj LDK, ku edhe para pak ditësh ajo njoftoi që do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e politikës, por me një nismë të re politike e që do i bashkohen edhe emra të tjerë.

Syri.net Kosova përmes burimeve të afërta me Osmanin ka arritur të zbulojë disa nga emrat që pritet të jenë pjesë e nismës për krijimin e një krahu të ri politik e që pritet të garojë edhe në zgjedhje përmes listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Të parët që pritet të i bashkohen Osmanit janë kryesisht anëtarë dhe ish-anëtarë të LDK’së të cilët janë të pakënaqur me politikat që po i bën LDK.

Sipas këtij mediumi këta janë emrat: ish-presidentit i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deputetët e LDK’së,  Haxhi Avdyli, Fatmir Rexhepi, Ardian Shala, ish-ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ish-rektori i UP’së, Ramadan Zejnullahu, avokati Dastid Pallaska, ish-deputeti Dardan Sejdiu, kabineti i saj në Kuvendin e Kosovës.

Në bisedime është edhe Mimoza Kusari, Shpend Ahmeti dhe shumë pjesëtarë të shoqërisë civile, por edhe disa degë të rëndësishme të LDK’së, vazhdon tutje ky medium.

Përfshirjen e emrit të tij në një grupacion të ri politik e mohon deputeti dhe njëherit kryetari i degës së LDK’së në Suharekë, Ardian Shala.

Në një prononcim për Gazeta Metro, deputeti Ardian Shala është shprehur i habitur se kur është pyetur se a do të kalojë në një parti me Vjosa Osmanin.

Sipas tij asnjëherë dhe me askënd nuk është biseduar një gjë e tillë.

“Ky perceptim është krijuar nga qëndrimet që kam pasur në lidhje me mosrrëzimin e qeverisë në kohë pandemie, por kjo nuk do to të thotë që unë do ta braktisë LDK’në, për ndonjë grupacion të ri politik. Unë do të vazhdojë të jem edhe më tutje në LDK dhe nuk e kam ndërmend të largohem fare nga aty. Puna ime do të vazhdojë në një vijë me LDK’në”, ka thënë Shala për Metron.

Tutje ai ka thënë se është i hapur për diskutime vetëm përbrenda LDK’së dhe asnjëherë nuk mendon diçka jashtë vijës së saj.

Shala ka qenë njëri ndër kundërshtuesit e LDK’së, ku kishte bërë thirrje që të mos rrëzohet qeveria në kohë pandemie.