Kuvendi voton rritjen e pagave, çfarë u diskutua gjatë seancës plenare

Në seancën e sotme plenare deputetët dhe ministrat do të votojnë reformën e rritjes së pagave.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka bërë prezantim të reformës së rritjes së pagave duke thënë se efekti financiar do të jetë 39 miliard lekë.

“Reforma që sjellim sot do t’i vërë kapakun rritjes së pagave. Pjesë e paketës që prezanton parashikon indeksimin e normës së inflacionit. Kjo është një reformë që ekonomia na e mundëson. Sot kemi pagë minimale në nivelin 40 mijë lekë, në vitin 2013 ishte 22 mijë lekë. Ne kemi hapësirën për të përballuar rritjen e pagave. Synojmë të krijomë një piramidë të pagave.

Ne synojmë të përmirësojmë hierarkinë e pagave. Efekti financiar i kësaj reforme është 39 miliard lekë. Janë mbi 130 mijë punonjës të cilët do të përfitojnë nga kjo reformë”, tha Ibrahimaj.

Kjo reformë ka pasur debat në lidhje me rritjen e pagës për deputetët, qeverisë dhe Presidentit të Republikës.

Vetë kryeministri Edi Rama në fjalën e tij është shprehur se rritja duhet të bëhet pas prillit të 2024.

Rama tha rritja e pagave për deputetët duhet të jetë e fundit, kur të ketë hyrë në fuqi për të gjithë, ndryshe tha kreu i qeverisë është e pamorlashme

“Unë nuk e votoj rritjen e pagës për deputetët. Ju bëni ç të doni, unë vetë nuk e votoj. Për mua paga duhet të vendoset sot dhe duhet të hyjë në fuqi dirën që bëhet rritja e pagës deri te më i fundit, Pra, nëse mësuesve dhe mjekëve iu themi do merrni sot këtë rritje, dhe tjetrën më vonë dhe paga juaj do jetë e plotë dhe 900 euro  do jetë në mes të viti të ardhshëm, atëherë për deputetët e ministrave duhet të hyjë në fuqi pasi tu rritet gjitjë të tjerëve. Ky është qëndrimi im, para kësaj unë mendoj se është e pamoralshme” -u shpreh Rama.

Gjithashtu me Ramën është bashkuar edhe Sali Berisha, po deputetët nga të dy palët kanë theksuar se pavarësisht këtij vendimi ato do të votojnë rritjen e pagës për deputetet dhe ministrat.

Ai e u shpreh se nuk dua të votojë pasi sipas tij ky ligj është një mashtrim i tmerrshëm,

“Unë jam këtu për të dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë Farsë të turpshme zgjedhore të pa ndodhur më parë, për t’u bërë shqiptarëve thirrje që të marrin në dorë fatin e tyre. Keni sjellë këtu një ligj të cilin pavarësisht këtyre kundërshtive do të kisha dashur ta votoja, pasi kam qenë dhe mbetem gjithnjë për rritjen e rrogave e pensioneve. Nuk e votoj këtë ligj sepse ky ligj është një mashtrim i tmerrshëm”, tha Berisha.

Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj u shpreh se rritja e pagës është politike, ndërsa shtoi se me anë të kësaj skeme, qeveria po provokon sektorin privat të reflektojë dhe t’u rrisë rrogat punëtoreve.

“Rritja e pagës është thellësisht politike.. Është reflektim i një qeverie. Por së fundmi me një rritje historike dhe reflektimi ka të bëjë me produktivitetin e administratës. Rritja është 1.6% të PBB. S’është bërë asnjëherë. Nëse ekonomia është rritur dhe PBB është rritur, paga mesatare rritet 100%. Që do të thotë i gjithë diskutimi që bën opozitës për inflacionin, kjo statistikë e rrëzon”– tha Ahmetaj

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është shprehur se Partia Demokratike do të miratojë sot rritjen e pagave edhe pse është i vonuar.

“ PD do të miratojë sot rritjen e pagave dhe pse ky është një akt i vonuar. Sot është dita që ne të ngremë zërin dhe për pensionistë që si gjithmonë mbeten të fundit. Ne na drejton një qeveri e korruptuar që paguan vetëm për të blerë votat”, tha Bardhi.

Edhe deputeti Dashnor Sula e cilëson të vonuar rritjen e pagave për administratës ndërsa nuk e justifikon rritjen për deputetët dhe qeverinë.

“S’jam kundër rritjes së pagave të deputetëve e qeverisë por jam kundër në shifra kaq të mëdha ndërsa administrata, mësuesit e të tjerët kanë rritje simbolike. Pagën e mësuesit 27 mijë lekë, e infermierit 22 mijë lekë. Në parlament ka deputetë që i shtojnë vlerën institucionit, ka të tjerë që e bëjnë të turpshëm që në mëngjes ngrenë duart për të votuar ligje e në darkë përfundojnë në qeli. Çfarë kemi bërë që të rritet rroga? E keni bërë këtë vend të jetueshëm? Keni luftuar korrupsionin? Jo. E kemi ditur të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme? Jo. Çfarë bëjmë ne, 10 ditë pas zgjedhjeve mbyllemi në një sallë të shohim rrogat tona. Turp më të madh nuk ka. Të rrisim rrogën me 1.6 milionë brenda ditës na bën më të urryerit për njerëzit”, tha Sula./Gazeta Express