Kuvendi pritet të pezullojë procesin e vettingut në polici

Kuvendi pritet të pezullojë sot procesin e vettingut në polici. Janë katër deputetët, Arben Elezi, Antoneta Dhima, Luan Harusha dhe Elona Hoxha, që e kanë kërkuar pezullimin e vettingut. Sipas katër deputetë të mazhorancës, në vettiing duhet të dalin oficerët e SHÇBA, për të cilët ligji parashikon që do të udhëheqin vlerësimin e gradave të ulëta të policisë.

Pra, projektligji kërkon që Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të fokusohet te vetingu i SHÇBA, strukturë kjo që do të fusë në sitë më pas të gjithë efektivët e nivelit bazë në policinë e shtetit.

Ndryshimi i propozouar nga deputetët, sipas asaj që thuhet në relacionin e projektligjit, vjen në përputhje me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtare që asistojnë në çështjet e rendit dhe sigurisë dhe problematikat e evidentuara prej tyre.

Raport-vlerësimi i GRECO-s thotë se procesi aktual kalimtar i vettingut duhet të zëvendësohet me një mekanizëm për vlerësimin e integritetit të personelit rregullisht gjatë karrierës së tyre dhe për qëllimet e ngritjes në detyrë, ndërkohë dhe të paktën, vetting kalimtar duhet të përqendrohet në funksionet më të ekspozuara ndaj riskut të integritetit.

Gjithashtu, ky ndryshim thuhet në projektligj, do mundësonte kohën e nevojshme që institucionet e përfshira të bënin një analizë më të thelluar të këtij procesi dhe të propozonin zgjidhje për një sërë problematikash të evidentuara dhe nga partnerët ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë.