Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka deklaruar se për të dialogu me Serbinë nuk është prioritet. Por një tryezë diskutimi për këtë temë është bërë prioriteti i sotëm i Kurtit.
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Forum 2015 kanë organizuar tryezën virtuale diskutimi me temën “Si tutje me dialogun?” ku po përveç kreut të LVV-së, po merr pjesë edhe publicisti Veton Surroi.
Në po të njëjtën kohë, në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca konstituive, ku bashkëpunëtori më i ngushtë i Kurtit, Glaukj Konjufca, pritet të zgjidhet kryetar i këtij institucioni, që është organi më i lartë ligjvënës i shtetit.
Kurti sot pasdite pritet të zgjidhet kryeministër i Kosovës. Por problemin me Serbinë, për të cilin Kosova njihet më së shumti në arenën ndërkombëtare, ai s’e sheh si prioritet për ta zgjidhur. Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret që shumë shpejt të takohet me Kurtin.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i cili i fitoi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare me rezultat historik, s’e sheh prioritet dialogun me Serbinë. Këtë ai e ka theksuar e përsëritur në secilën paraqitje, kurdo që është pyetur për këtë temë.






