Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në mes tjerash në vendim përmendet edhe mbyllja e seancës nga ana e kryeparlamentarit, Dimal Basha pa zgjedhjen e njërit nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Ky institucion ka ritheksuar që seanca konstituive është një akt kushtetues, e cila konsiderohet si e realizuar vetëm pas përfundimit të verifikimit të mandateve të deputetëve, dhënies së betimit të deputetëve, dhe zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të tij.
“Nga transkripti i mbledhjes së Seancës Konstituive së mbajtur më 30 gusht 2025, rezulton se Kryetari i zgjedhur i Kuvendit, pasi që konstatoi se deputetët Miljana Nikolić, Nenad Rašić dhe Igor Simić eliminohen nga gara si rezultat i dështimit të votimit për 3 (tri) herë, dhe konsideroi se, pasi janë shterur të gjitha tentativat për të marrë votat e nevojshme dhe theksoi se: “[…] pasi tetë prej tyre nuk kanë marrë votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit në të gjitha tentativat, ndërsa dy prej tyre kanë refuzuar të jenë kandidat për 11 nënkryetar.”, ishte ezauruar pika e IV-të e rendit të ditës së Seancës Konstituive përkitazi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet që nuk janë shumicë. I njëjti përmbylli punimet e Seancës Konstituive me arsyetimin se: “Në emër të funksionalizimit të Kuvendi dhe materializimit të rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit 2025, konsideroj që moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët apo njërit nga gjashtë anëtarët e Kryesisë, nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, si dhe theksoi se: “Pas përmbylljes së seancës konstituive, konsideroj që Kuvendi i Republikës sonë duhet të vazhdojë punën siç parashihet me Kushtetutë, ndërkaq se si të veprohet tutje në lidhje me punën tonë si Kuvend konsideroj që do t’i konsultoj anëtarët e zgjedhur tanimë të Kryesisë së Kuvendit, në mbledhjen që do të mbahet në Zyrën C-301 të hënën, në orën 13:00.”
Rrjedhimisht, seanca e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar. Ky institucion ka urdhëruar që “Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”.
Po ashtu, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, janë urdhëruar “që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.
Me këtë rast, vazhdohet masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi./







