Në Kuvendin e Kosovës sot është zhvilluar seanca e radhës plenare.
Kjo seancë ka filluar me një minutë heshtje për për të gjitha viktimat civile të cilat u vranë nga agresioni rus në Ukrainë.
Gjatë kësaj seance, me propozim të grupeve parlamentare është hedhur në votim Rezoluta e Kuvendit të Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën me vota 94 pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ku dënon ashpër agresionin e Rusisë në Ukrainë. Në njërën nga pikat Kuvendi i kërkon qeverisë që të aplikojë për anëtarësim në NATO dhe BE.
Poashtu shprehet kërkesa e Kuvendit ndaj qeverisë për gatishmërinë për strehimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina. Në tekstin e rezolutës poashtu thuhet se Serbia s’është distancuar nga krimet dhe gjenocidi në Kosovë dhe në vend se Serbia të ishte e dënuara, sot Kosova dhe lufta e saj po gjykohen padrejtësisht, duke aluduar në eprorët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme agresionin dhe invazionin e paligjshëm, te paprovokuar dhe të pajustifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion”, thuhet në pikën e parë të Rezolutës së Kuvendit.







