Kuvendi mblidhet nesër. Seancë e jashtëzakonshme për dekretet e ministrave

Me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, kryeparlamenti Gramoz Ruçi vendosi thirrjen e Kuvendit në sesion dhe seancë të jashtëzakonshme pasditen e së mërkurës, në orën 17:00, për të votuar dekretet e Presidentit Ilir Meta mbi ndryshimet e fundit në qeveri, pa pritur nisjen zyrtare të sesionit normal më 21 janar.

Në shkresën e tij drejtuar kryeparlamentarit Ruçi, kreu i qeverisë shpjegon se thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, krahas garantimit të respektimit të afateve kushtetuese për shqyrtimin e dekreteve, do t’i shërbente funksionimit normal dhe me kapacitet të plotë të kabinetit qeverisës.

Ndryshe mendon opozita, sipas së cilës nuk kishte arsye për nxitim.

“Kryeministri kërkon seancë të jashtëzakonshme, në kundërshtim edhe me interpretimin që i ka bërë kësaj çështjeje edhe Gjykata Kushtetuese, e cila thotë që në rastin e dekreteve të ministrave Kuvendi mund ta kalojë afatin 10-ditor. Mazhoranca e përdor rregulloren dhe Kushtetutën si ia kërkon interesi i vet politik”, tha Edmond Spaho, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit, mazhoranca pranoi kërkesën e opozitës për të ngritur një komision hetimor parlamentar mbi punën e DSIK-së në lidhje me rastin e certifikatës të zv/ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj.

“Jemi dakord në parim me kërkesën. Duhet që vendimi të jetë shumë i qartë edhe përsa i përket parashikimeve të parashikuara në ligjin për informacionin e klasifikuar. PS-ja i ka gati emrat, ndërsa opozita jo”, deklaroi Balla, kreu i grupit parlamentar socialist.

Pas një takimi me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, në emër të mazhorancës, Balla përsëriti thirrjen drejtuar opozitës për miratimin e reformës zgjedhore, përfshi këtu votimin elektronik. Ndërsa demokratët kërkuan zgjatjen për të dytë herë të komisionit hetimor mbi kanabisin, që drejtohet nga Edi Paloka, ndonëse gjatë shtyrjes së parë ky komision nuk u mblodh asnjëherë.