Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini në fjalimin e tij në kuvendin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pas shpalljes së kandidaturës së tij për kryetar të kësaj partie lavdëroi Ramush Haradinajn duke e quajtur atë simbol i lirisë dhe politikës së Kosovës.

Ai tha Haradinaj ka bërë sakrificë në shtetndërtimin e Kosovës duke nënvizuar se aktivizimi i tij për çlirimin e vendit ka nisur edhe para luftës.

“Po e kërkoj besimin tuaj pas Ramush Haradinajt, duke e ditur që Ramush Haradinaj nuk ka qenë vetëm kryetar partie, është simbol i Kosovës, është simbol i lirisë, por është edhe simbol i politikës së mençur dhe normale që ka ndodhur në Kosovë. Për 30 vite edhe më shumë, edhe për vitet që ndoshta ne nuk i dimë, por i kemi dëgjuar në biseda, duke na treguar disa njerëz serioz, njerëz më serioz në botë që na treguan që edhe kur ne nuk e kemi ditur se çka po ndodhë në Kosovë, dikush ka qenë duke biseduar me Ramushin se si të çlirohet vendi”, tha ai.

Tutje, Gjini vazhdoi duke thënë se historia e Ramush Haradinaj do të shkruhet me shkronja të arta, teksa citoi edhe fjalime nga prijës fetarë duke thënë se ‘asgjë nuk marrim me vete’, por kujtohemi për veprat e jetës.

“E kam këtë privilegj ti di këto detaje, por mos harroni ka shumë që nuk i dinë, por edhe një gjë duhet ta dini, kurrë nuk kanë me shpëtu pa u shkruar historitë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar dhe të Ramush Haradinajt. Njerëzit e rritur e dinë që një ditë nuk kanë me jetu, është natyrë e Zotit. Krejt çka do mbahemi mend është ajo që kemi lënë pas, për të thënë fjalët e fetarëve; Asgjë me vete nuk kemi me marrë. E çka lëmë pas unë po u them se do të jetë e shkruar me shkronja të arta. Jam i bindur që nuk ka përfunduar kryetar Haradinaj, jam i bindur që nuk ka përfundu shkrimi i historisë që e ka bërë Ramush Haradinaj me familjen e tij për Kosovën”, u shpreh Gjini.