“Kushtetuta nuk është Bibël”: BE tha se Lajçak nuk e tha këtë, por publikohet video kur ai flet serbisht para Vuçiqit

Emisari sllovak i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ka “dridhur” skenën politike kosovare duke përulur dhe përbuzur Kushtetutën e Kosovës, krejt kjo për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Sllovaku Lajcak ka zbuluar qëllimet e tij dhe Bashkimit Evropian vetëm e vetëm për të arritur një marrëveshje me Serbinë ku në asnjë fjalë të tij nuk përmendet njohja e Kosovës.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës nuk është bibël dhe ajo duhet të ndryshohet për t’u themeluar Asociacionin e Komunave Serbe, apo siç njihet ndryshe “Zajednica”.

Pas kësaj deklarate reagime të ashpra pati në Kosovë, por Bashkimi Evropian reagoi duke thënë se Emisari Lajcak nuk e ka thënë se “Kushtetua e Kosovës duhet ndryshuar”, mirëpo sipas tyre ai ka treguar se çka mund të ndodhë nëse një shtet negocion një marrëveshje ndërkombëtare.

“Jo, ai s’ka thënë. Zotëri Lajçak ka shpjeguar çfarë mund të ndodhë nëse negociohet një marrëveshje ndërkombëtare. Kur ju arrini një marrëveshje ndërkombëtare, rregullimet e nevojshme ligjore duhet të merren parasysh nga qeveria, përfshirë edhe në nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojnë atë në rendin e tyre të brendshëm ligjor dhe kushtetues”, ka thënë zyra për informim e BE’së dje për Klan Kosova.

Mirëpo, nuk dihet pse BE’ja nuk ka dashur ta pranon këtë dhe ta shtrembëron deklarimin e Lajcakut, ai shumë qartë ka thënë se Kosova duhet ta ndryshon Kushtetutën dhe se ajo nuk është bibël.

Metro ju sjell transkriptimin e deklaratës së Lajcak dhe pamje nga konferenca e përbashkët me Aleksandar Vucicin.

“Nëse mundem, para shkuarjes sime në Prishtinë kishte shumë deklarata e njoftime, megjithatë unë atje kisha diku rreth 25 takime dhe asnjëri prej bashkëbiseduesve të mi nuk kishte thënë se nuk do të përmbushim detyrimet tona. Në të vërtetë, në të gjithë ato takime u tha qartë se ato që kemi pranuar dhe premtuar duhet të përmbushen, përfshi Asociacionin. Dhe e dyta, çështja e kushtetutës, qëndrimi ynë është se ne po negociojmë procese aq serioze që është logjike që edhe kushtetuta do të duhet të ndryshohet. Dhe për këtë nuk më tha askush që kjo është e pamundur. Pra kjo do të thotë se, kushtetuta nuk është bibla, dhe nëse merremi vesh për çështje serioze atëherë gjithsesi se kjo do të duhet të reflektojë edhe në kushtetutë. Dhe këtu pajtohem presidentin, normalizimi do të thotë se ne duam një situatë normale që është në interesin e cilit do njeriu, gjendja jonormale është problemi”, ka thënë Lajcak në Beograd.

Nëse video nuk hapet ju lutemi klikoni KËTU.

Kujtojmë se Lajcak njihet ndryshe si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, emërimi i tij nga BE’ja si emisar për dialogun nuk është pritur mirë nga kosovarët për shkak të kaluarës së tij.