Kush po tenton t’i izolojë 650 mijë dukagjinas duke ua mohuar autostradën?!

Gati një vit më parë, saktësisht më 3 prill të vitit 2019, Komiteti drejtues ndërministror për zhvillimin e projektit “Autostrada Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Rahovec- Prizren”, pati shqyrtuar dhe miratuar propozimin për variantin final të këtij projekti.

Përzgjedhja e këtij varianti të Autostradës së Dukagjinit, kishte ardhur pas dëgjimeve publike të realizuara me qytetarët e të gjitha komunave që i përshkon ky projekt.

Ish ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kryesues i këtij komiteti, theksonte rëndësinë e këtij vendimi i cili tha se i hap rrugë projektimit të detajuar. Mes të tjerash shtonte se më këtë autostradë, “Kosovës i hapet perspektivë më e madhe me krijimin e lidhjeve me korridoret pan-evropiane”.

Mirëpo, pas ardhjes në pushtet të koalicionit LVV-LDK, ky projekt është stopuar, ndërsa është thënë se as nuk do të realizohet pasi që “Dukagjini nuk ka nevojë për autostradë”, shkruan Ballkani.info.

Ky vendim ka hasur në reagime të ashpra sidomos të dukagjinasve të cilët janë të vetmit në Kosovë që kanë mbetur të izoluar dhe pa lidhje në autostradat ekzistuese.

Janë mbi 650 mijë banorë të Dukagjinit që do t’ju shërbente kjo autostradë dhe të cilët krahasuar me të gjitha rajonet tjera përballen me rrugë të ngarkuara, probleme në qarkullim, vonesa dhe të lënë anash nga shteti.

Të gjitha matjet dhe analizat kanë vërtetuar se Autostrada e Dukagjinit është mëse e nevojshme, duke marrë për bazë të gjithë parametrat që kërkohen që një rajon të ketë qarkullim të lirshëm dhe lidhje si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Një autostradë e tillë do të shërbente edhe për zhvillimin ekonomik bazuar në turizëm, duke e ditur se i tërë Dukagjini ofron mundësi të jashtëzakonshëm të turizimit si dimëror ashtu edhe veror.

Përveç kësaj, Dukagjini është hapësira e vetme territoriale në Kosovë që nuk ka lidhje transporti me vendet fqinje përmes autostradës. Të kujtojmë se tashmë Autostrada e Gjilanit është në finalizim e sipër, pra lidhja e Kosovës me pjesën e Luginës së Preshevës, pastaj Rruga e Kombit që e lidh pjesën tjetër të Kosovës me Shqipërinë e me këtë edhe daljen në det. Ekziston edhe autostrada në drejtim të Serbinë në anën e Llapit, pra autostrada që çon në pikën kufitare të Merdarës.

Edhe në drejtim të Mitrovicës ka zhvillim të hovshëm të autostradës, prandaj e vetmja ‘zorrë qorre’ në këtë aspekt është Dukagjinit, respektivisht komunat Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë, Rahovec e deri në Prizren.

Si përfiton Gjakova, një komunë e shkatërruar nga lufta me ndërtimin e autostradës?

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, kishin marrë pjesë në dëgjimin publik me qytetarët e Gjakovës, për Autostradën e Dukagjinit.

Kreu i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka thënë se autostrada që lidh Dukagjinin është investimi më i madh infrastrukturor në Kosovë që nga pas lufta.

Ai ka treguar edhe për tri kyçje që do t’i kishte Gjakova në këtë autostradë.

“Një kyçje është te Skivjani, e cila e lidh Rekën e Mirë, por edhe Rekën e Keqe. Kyçja tjetër është në Qerim që do të jetë një prej nyjave më të mëdha në Kosovë për shkak se aty do të kyçen Gjakova, aeroporti dhe zona ekonomike amerikane dhe qendra e qytetit dhe e treta do të jetë në Rezina, në atë pjesë mund të lidhen një pjesë e Dushkajës dhe një pjesë e Hasit”, deklaronte Gjini.

Përveç kësaj, Gjini e kishte sqaruar edhe më tej përfshirjen e Gjakovës në këtë autostradë.

“Qendra e qytetit do ta ketë larg hyrjen në autostradë rreth 5.5 km, zona ekonomike amerikane dhe aeroporti i Gjakovës do ta kenë larg 2.5 km ndërsa qasje të shpejtë në autostradë kanë edhe fshatrat periferike”, pati thënë Gjini.

Ndërsa, ish ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, thoshte se kishte ardhur koha që përmes investimeve kapitale t’i kthehet dinjiteti Gjakovës me një investim të tillë po bëhet realitet nga ministria e Infrastrukturës me mbështetjen e plotë të qeverisë Haradinaj.

Ai ka thënë se ky investim paraqet autostradën më të gjatë në Kosovë që ende jo zyrtarisht quhet autostrada e Dukagjinit. Kjo autostradë përfshinë komunat nga Istogu deri në Prizren, duke përshkruar Pejën, Deçanin, Junikun, Gjakovën, Rahovecin dhe lidhet me autostradën Ibrahim Rugova.

Sipas tij, ky projekt është më gjigandi dhe më atraktivi që po realizohet nga Qeveria Haradinaj dhe se ky projekt do të realizohet me buxhetin e shtetit pa huamarrje. Gjatësia e autostradës do të jetë mes 90-95 km me të gjitha elementet përcjellëse.

“Ndër projektet që i gëzohemi është ky projekt. E them pa politikë, por si qytetarë i këtij vendi. E them që ky projekt është më gjigant që ka ndodhur në Kosovë dhe më atraktiv që do të ketë impakt pozitiv edhe për bizneset, për zhvillim, turizëm dhe gjithë sektorët”, ka thënë Lekaj.

Ai ka shtuar se vlera e përafërt e këtij projekti do të sillet rreth 590 milionë euro, kurse me shpronësime rreth 1 miliard euro, me financim të ndarë në katër vite qeverisje.

Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit do të bëhet me apo pa Vjosa Osmanin

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani,  para dy javësh tha se Autostrada e Anamoravës do të realizohet por korrupsioni do të ndalet.

Ndaj Osmanit pati reaguar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Daut Haradinaj.

Ai ka thënë se kjo çfarë ka deklaruar kryeparlamentarja për Autostradën e Anamoravës është reflektim, derisa ka shtuar se shpreson se ajo do ta thotë të njëjtën edhe për Autostradën e Dukagjinit.

Sipas tij, me apo pa Osmanin Autostrada e Dukagjinit do të bëhet.

“Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e paska pranu që autostrada e Anamoravës do bëhet! Ky është lajm i mirë dhe reflektim i saj, shpresoj që do ta thotë të njëjtën edhe për autostradën Dukagjinit pasi që ajo do bëhet me apo pa Vjosën”, pati thënë Haradinaj.

Edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se kjo autostradë gjithsesi se do të ndërtohet.

Haradinaj ka thënë se Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet pasi sipas tij VV e LDK “vijnë e shkojnë”.

“Autostrada do të bëhet në kohën e duhur. Projektet vitale nuk ka kush i ndal”, ka theksuar ish kryeministri. /Ballkani.info/