Ish-deputeti

“Kush je ti që më shënon gjobë he robt…”, Zafir Berisha dënohet me 1 mijë e 500 euro për sulmin ndaj zyrtarit policor

Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 6 muaj burgim, dënim i cili i është zëvendësuar me 1 mijë e 500 euro gjobë, për sulm ndaj zyrtarit policor, i cili i kishte shqiptuar gjobë në trafik.

Aktgjykimi ndaj Berishës është shpallur më 27 dhjetor 2023, nga gjyqtari Lulzim Hoxha, në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim, të akuzuarit Berisha me propozim të tij i është zëvendësuar në gjobë prej 1 mijë e 500 euro.

“Në kuptim të nenit 44 të KPK-së, me propozimin e të akuzuarit, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajve i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej njëmijë e pesëqind (1.500,00) ) €, i akuzuari dënimin me gjobë është i obliguar ta paguaj në afat prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykim.

Në rast se Berisha nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë, sipas aktgjykimit, i njëjti zëvendësohet me burgim, ku për çdo 20 euro llogaritet një ditë burg.

Ai është i obliguar të paguajë shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro, si dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 20 euro, të gjitha këto brenda afatit prej 15 ditëve.

I dëmtuari për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Berisha, në seancën fillestare e kishte pranuar fajësinë, e cila bashkë me kërkim faljen dhe premtimin për mospërsëritje të veprimeve të tilla, nga gjykata është marrë si rrethanë lehtësuese.

Kurse, si rrethanë rënduese është marrë vepra penale e kryer, shkalla e dashjes e veprimi me përgjegjësi.

“Ndërsa si rrethanë rënduese gjykata mori për bazë, veprën penale të kryer, niveli i dëmtimit të vlerës së mbrojtur, mënyrën e kryerjes së veprës penale, shkallën e lartë të dashjes, veprimi me përgjegjësi, ku i akuzuari me dashje sulmon presonin zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, në atë mënyrë që me të vërejtur zyrtarin policor përkatësisht të  dëmtuarin afër veturës së tij, i afrohet të njëjtit i drejtohet me fjalët “çka ma ke lanë atë letër aty, kush je ti që më shënon gjobë he robt, ti nuk din kush jam unë, prej sot krejt robt kom me ti q…., more fëmijët kam me të mbytë”, me këto veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar pasiguri në kryerjen e detyrës zyrtare”, thuhet në vendim.

Sipas aktakuzës, më 8 qershor 2022, rreth orës 14:40, në rrugën “Suzi Qelebi”, në Prizren, i akuzuari Zafir Berisha me dashje e sulmon zyrtarin policor, të dëmtuarin Q.D., për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, pasi ai bashkë me kolegët e tij kishin hasur në disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt, në mesin e tyre edhe vetura e Berishës.

Aktakuza thotë se atij në xhamin e veturës i ishte vendosur njoftim për paraqitje obligative në stacionin policor dhe vendimin për kundërvajtje. Pasi kishte parë ketë njoftim, thuhet se ish-deputeti i afrohet zyrtarit policor me fjalët “çka ma ke lanë atë letër aty, kush je ti që më shënon gjobë he robt, ti nuk din kush jam unë, prej sot krejt robt kom me ti … more fëmijët kam me të mbytë”, thuhet të këtë kërcënuar Berisha.

Me pas, thuhet se i vërsulet zyrtarit policor, fillimisht duke ia grisur vendimin dhe hedhur në fytyrë, për çka zyrtari policor kishte reaguar duke i hedhur sprej.

Për këtë, Berisha akuzohej për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 2, lidhur me par.1, të Kodit Penal.

BONUS VIDEO: “Sulmet e mundshme nga Serbia”, Haziri: Kamuflim i krerëve për t’i mbuluar dështimet e brendshme