Avokatët

Kush janë tre avokatë shqiptarë nga Kosova që u paguan nga Serbia për të mbrojtur të dyshuarit për kontrabandë

Në mesin e dosjeve që u arkivuan nga punëtorët e strukturave paralele serbe në Komunën e Leposaviqit u gjetën edhe emra të avokatëve shqiptar. Këta avokatë, për të mbrojtur disa klientë serb të Kosovës në disa procese të ndryshme gjyqësore u paguan nga Qeveria e Serbisë.

Tre avokatët, Asdren Hoxha, Faruk Korenica dhe Shyqyri Syla, që deri para një kohe mbante edhe pozitën e kryeprokurorit të Mitrovicës, morën me mijëra dinarë serb që rrodhën nga Qeveria e Serbisë, qeveri e vendit që nuk e njeh Kosovën.

KALLXO.com para disa ditëve pranoi disa informacione nga disa punëtor serb që mbajnë pozita në Komunën e Leposaviqit, asaj të ligjshmes, që brenda objektit të kësaj komune ka me qindra dosje që dëshmojnë pa rregullsi e keqpërdorime që ndodhën tash e disa vite.

Me një kërkesë për qasje në dokumente publike, ekipi i portalit arriti që të hyjë brenda objektit të kësaj komune e të shpalosë me radhë dosje të shumta të lëshuara nga institucionet e Kosovës, ato paralele të Serbisë në Kosovë e po ashtu edhe dokumente të vet Qeverisë së Serbisë.

Dokumentet që u prezantuan dëshmojnë se Hoxha, Korenica e Syla përmes procedurave pothuajse të njëjta arritën që të fitojnë shuma të mëdha të parave që u lëshuan me vendim të shefit të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në mesin e dosjeve në emër të avokatëve u gjetën fatura të postave, vendime të nënshkruara nga ish kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq e nga zyrtarë të qeverisë serbe.

Këto dokumente, të shkruajtura në gjuhën serbe, u vulosën e u nënshkruan nga avokatët shqiptar.

Dosjet që ekipi i portalit i hulumtoi zbardhin se si disa prej faturave fillimisht u dorëzuan në Graçanicë, e më pas përmes postës kaluan edhe në strukturën paralele serbe në Komunën e Leposaviqit.

Në mesin e këtyre dokumenteve u gjetën edhe fotografi të avokatëve, e xhirollogari bankare të kontove ku u derdhën paratë e Qeverisë së Serbisë për tre avokatët e mirë-paguar të Kosovës.

Të gjitha dokumentet e arkivuar, po ashtu u ruajtën edhe në folder të cilët po ashtu u blen në Serbi, në një kompani në qytetin e Novi Sad.

Avokatët në fjalë, u kontaktuan nga ekipi. Hoxha u shpreh i pa-interesuar të komentoj këtë situatë, përderisa Syla e dha arsyetimin e tij e Korenica tha se nuk i intereson prej kujt janë parat, derisa klientit që po ia kryen shërbimet e paguan atë.

Lidhur me këto dëshmi që u gjetën, portali kontaktoi me organet kompetente këtu në Kosovë, por edhe me Qeverinë e Serbisë.

Të vetmit që u përgjigjen për këto raste ishin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special të së cilës edhe trajtohen rastet në fjalë.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se përfaqësimi i të pandehurve rrjedh nga autorizimi në mes të palëve dhe kjo është çështje personale në mes tyre. Për më shumë mund ti drejtoheni Odës së Avokatëve të Kosovës”, tha zëdhënësja pranë kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.

Të kontaktuar ishin edhe Oda e Avokatëve, por që nga ta deri në momentin e publikimit të këtij hulumtimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk u mor as nga Prokuroria Speciale e as nga Qeveria e Serbisë. /Kallxo.com/