Kush janë dy shqiptarët 22 dhe 24 vjeç që vdiqën tragjikisht në Itali

Dy të rinj shqiptarë mbetën të vdekur në dy aksidente të ndryshme rrugore të ndodhur në Itali. Klevis Luka, vetëm 22 vjeç drejtonte një automjet kur në një moment humbi kontrollin duke u përplasur me forcë me një kamion të parkuar. Ndërkohë, Bexhet Deda 26 vjeç ishte duke ecur me biçikletë kur u përplas nga një makinë që drejtohej nga një italian.

Klevis Luka kishte lindur në Tiranë dhe jetonte prej vitesh në Livorno të Italisë, ku edhe punonte në një piceri të njohur të zonës, që drejtohej nga prindërit e tij. Pas një dite qëndrimi në spital, Luka ndërroi jetë pasi nuk mundi t’i rezistonte plagëve të marra nga përplasja. Aksidenti ndodhi të martën në orën 5 të mëngjesit, ku 22-vjecari udhëtonte me një mikun e tij të huaj Imafidon Oduëare, 21-vjeç. Ky i fundit, pasi automjeti u përplas me kamionin e ndalur superstradën Firenze-Pisa-Livorno, mori lëndime që nuk i rrezikuan jetën. Të dy po ktheheshin në shtëpi pasi kishin kaluar mbrëmjen në provincën e Firenzes.

Dyshimet janë se i riu humbi kontrollin e automjetit për shkak të shpejtësisë së madhe dhe lagështisë në rrugë. Megjithatë, autoritetet italiane vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë.

Ndërkohë në aksidentin tjetër tragjik, Bexhet Deda, udhëtonte me bicikletë me dy shqiptarë të tjerë të cilët shkonin në punë. Një makinë i përplasi ata ku 24-vjecari shqiptar mbeti i vdekur, ndërsa dy shqiptarët e tjerë përfunduan në spital. Autori u largua nga vendngjarja pa ndaluar apo të telefononte për ndihmë, por policia e pikasi atë kur u ndal për të rregulluar gomën e makinës që u shfry pas përplasjes. Shoferi, Renzo Griffo, 24 vjeç, ka thënë se ndodhej në gjendje shoku, ndaj u largua pas përplasjes dhe u kthye në vendngjarje 20 minuta më vonë.