Kush insistoi të zhvarrosen trupat e anëtarëve të familjes Jashari për t’iu bërë autopsia?

Ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka treguar në Frontal të T7 se si janë zhvarrosur trupat e anëtarëve të familjes Jashari dhe si iu është bërë autopsia trupave.

“Ka qenë një emocion. Një frikë të them të drejtën. Sepse isha në luftë me vetveten, frikësohesha se mos po bëj ndonjë gabim në prekje të historisë”, tha Gërxhaliu.

Ai tregoi se si ka arritur t’i sigurojë dokumentet e autopsive të kryera nga serbët.

“Në mesin e tyre ka qenë edhe raporti i autopsisë i komandantit legjendar dhe i disa nga familjarëve të tij. Qarkullonin shumë thashetheme të cilat mua si profesionist më kanë munduar”.

Eksperti i mjekësisë ligjore që udhëhoqi ekipin që u mor me zhvarrosjen e trupave të familjes Jashari tregoi se Murat Jashari ishte ai i cili kishte insistuar që të hapen varret dhe t’u bëhej autopsia trupave të anëtarëve të familjes së tij.

“Ato dokumente arrita t’i dërgoj deri në Prekaz tek shtëpia e komandantit. Pastaj doli nga burgu edhe Asllan Selimi i cili është edhe dhëndërr i familjes së tyre, i cili e inicoi edhe më tepër kontaktet me Muratin, i cili është tash profesor në Fakultetin Juridik. Dhe Murati ishte ai i cili thjesht insistoi që varret të rihapen dhe autopsitë të bëhen edhe nga dora e ekspertëve shqiptarë”, tha ai.

Emisionin Frontal mund ta ndiqni këtu.