Kush është zëvendësministëri i Punëve të Brendshme që u emërua sot?

Bardhyl Dobra është emëruar zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Dobra ka qenë Sekretar ekzekutiv i Asociacionit Ndërkombëtar të Shkollave dhe Instituteve të Administratës (IASIA), kurse në 2019-2020 ka qenë zyrtar për akreditime pranë Komisionit Ndërkombëtar për Akreditime të programeve të arsimimit dhe trajnimeve në fushën e Administratës Publike (ICAPA).

Më poshtë lexoni komunikatë e plotë të MPB-së:

Bardhyl Dobra emërohet zëvendësministër i Punëve të Brendshme

Bardhyl Dobra, i lindur me 17 shkurt 1986 në Drenas, është në përmbyllje të doktoraturës pranë Universitetit Gent në Belgjikë. Tema e doktoraturës është “Administrata publike në shtete post-konflikt: rasti i Kosovës”.

Nga 2013 deri në 2020, ai ka qenë Sekretar ekzekutiv i Asociacionit Ndërkombëtar të Shkollave dhe Instituteve të Administratës (IASIA), kurse në 2019-2020 ka qenë zyrtar për akreditime pranë Komisionit Ndërkombëtar për Akreditime të programeve të arsimimit dhe trajnimeve në fushën e Administratës Publike (ICAPA).

Bardhyl Dobra ka shkuar në Francë në maj të vitit 1999 sikurse mijëra shqiptarë të Kosovës që u larguan nga Kosova. Ai atje ka përfunduar një pjesë të shkollës fillore, shkollën e mesme dhe studimet bachelor dhe master në ekonomi.

Gjatë kësaj periudhe ai ka qenë pjesë e programeve të shkëmbimit me të cilat ka studiuar një semestër në Britani të Madhe dhe një vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas rikthimit në Francë, Bardhyli ka vazhduar me një master tjetër në shkenca politike dhe si rrjedhojë ka bërë përvojën profesionale të masterit pranë Ambasadës së Francës në Kosovë.

Bardhyli ka qenë i angazhuar në shoqata studentore në Francë dhe ka qenë deri më tani nënkryetar i Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris (QKKP), si dhe anëtar i Bordit të Global Albanian Foundation (GAF).