Kush është Vlladimir Llazareviq, krimineli serb që udhëhoqi paradën në Ditën e Evropës (DOKUMENT)

Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott e ka cilësuar turp për Serbinë pasi gjenerali serb i dënuar për krime lufte, Vlladimir Llazareviq, në Ditën e Evropës në Nish e udhëhoqi paradën ushtarake.

“Është turp që një kriminel lufte i dënuar, të marshojë para atyre të cilët po përpiqen t’i nderojnë aleatët të cilët kanë vdekur duke luftuar për drejtësi dhe paqe në Evropë. Dita e Evropës, Vlerat e Evropës”, ka shkruar Scott në llogarinë e tij në Tëitter.

Llazareviq, cili ishte ish komandant i korpusit të Prishtinë dhe i Armatës së Tretë gjatë luftës në Kosovë, është dënuar nga Tribunali i Hagës për krime kundër njerëzimit në Kosovë me 14 vjet burg. Ai u lirua në dhjetor 2015 me kusht, pasi i kaloi më shumë se 10 vjet në burgun e Sheveningenit.

Gjenerali i dënuar për krime lufte në Kosovë ishte në ballë të paradës në Serbi për Ditën e Europës.

Parada u mbajt në Nish, afër Kosovës, duke shënuar Ditën e Fitores mbi Fashizmin, e njohur edhe si Dita e Europës. Aty parakaloi “Regjimenti i Pavdekshëm”, të cilit i priu një gjeneral i dënuar për krime lufte në Kosovës.

Por kush ishte me të vërtetë Llazareviq? Ballkani.info sjellë dokumente dhe informacione ekskluzive për veprimtarinë kriminale të gjeneralit serb gjatë luftës në Kosovë.

Llazareviq ishte përgjegjësi kryesor për masakrën e Reçakut, më 15 janar të vitit 1999.

Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.

Në Kosovë pas luftës së vitit 1999 kanë qenë 48 gjykime për krime lufte në të cilat janë dënuar 34 shqiptarë, 4 serbë dhe një malazez. Kështu thuhet në publikimin e botuar “Pasqyrë e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë në periudhën 1999-2018”, të cilin e përgatiti Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës (FDH Kosovë).

Pra, del që Kosova qëndron mirë sa i përket dënimeve të atyre që kanë bërë krime lufte, duke treguar edhe një herë që sa e panevojshme ka qenë themelimi i Gjykatës Speciale.

Në dokumetet e ushtrisë dhe policisë serbe, respektivisht të inteligjencës ushtarake serbe, vërtetohet se masakra e Reçakut ka qenë e planifikuar.

Më 5 janar të vitit 1999, 10 ditë para masakrës, inteligjenca ushtarake serbe “shqetësohet” se mund të ndodh një masakër si ajo e tregut të “Markmales” në Bosnjë. Edhe kjo masakër e bërë nga forcat serbe, nxiti intervenim ndërkombëtar ne Bosnje. Do të thotë Raçaku ka qenë mirë i planfikuar.

Në këto dokumente po ashtu vërtetohet se si shefi i armatës së III-të në Kosovë atë kohë, Gjeneral-Majori, Vlladimir Llazareviq, është përgjegjës për Reçakun.

I njëjti, në prill të vitit 1999 është dekoruar me flamurin luftarak të klasit të parë.

Por kush është Vlladimir Llazareviq dhe se u ngrit në karrierën ushtarake krimineli serb?

Vladimir Stojan Llazareviq

Data e lindjes: Më 23 mars 1949 – Grnçar, Bebushnica, Nish

Në JNA (Ushtria e Jugosllavisë) 31 korrik, 1972

Më 11 dhjetor të vitit 1979, Llazareviq u emërua Major në Brigadën 549 të Këmbësorisë në Korpusin e 52-të të Prizrenit.

Më pas Llazareviq ka kryer edhe funksione tjera në ish ushtrinë jugosllave, sin ë Nish, Beograd, Uzhicë, etj.

Në vitin 1998, saktësisht më 09 janar të vitit 1998, Llazareviq merr komandën e Korpusit të Prishtinës, të Armatës së Tretë.

Në këtë pozitë, gjenerali i pensionuar serb qëndroi deri më 15 janar të vitit 2000, kur u shpërngul në Nish.

Nga viti 2002, Llazareviq u emërua zëvendës-komandant në sektorin për këmbësori në Ushtrinë Jugosllave në Beograd. Ai mbajti edhe pozita tjera në këtë ushtri deri në qershor të vitit 2004.

Gjenerali, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës dhe i Armatës së Tretë, Vlladimir Llazareviq, ishte dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vjet burgim për krime lufte mbi shqiptarët.

Ai ishte liruar në dhjetor të vitit 2015, pas 10 vjetësh vuajtjeje të dënimit. /Ballkani.info/