Kush është serbi që Prokuroria Speciale i ngriti aktakuzë për krime lufte në Kosovë

Serbi, që ndaj tij u ngre aktakuzë për krime lufte nga Prokuroria Speciale, ishte arrestuar në fillim të muajit shkurt të këtij viti dhe që nga ajo kohë ka qëndruar në paraburgim. Zoran Gjokiq, akuzohet për vrasje gjatë luftës nën uniformën e paramilitarëve, plaçkitje dhe dëbimin e civilëve shqiptarë nga Peja.

Dje, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngre aktakuzë për krime luftë ndaj serbit Zoran Gjokiq, i cili kishte jetuar në Pejë para luftës në Kosovë.

Mirëpo, gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, bashkë me një grup të organizuar kriminal e të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht dhe i kanë vrarë.

Zoran Gjokiq, nga Peja, por me vendbanim në Beograd, u arrestua në muajin shkurt të këtij viti në vendkalimin kufitar në Jarinje, në veri të Kosovës.

Që nga viti 2015, Gjokiq ka jetuar në Mitrovicë dhe ka punuar në organizata joqeveritare. Një gazetë serbe “Beta” në momentin e arrestimit të tij në muajin shkurt, patën raportuar se Zoran Gjokiq ka punuar edhe në Qeverinë e Kosovës.

“I pandehuri Z.Dj., gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen Kristal të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të nacionalitetit serbë, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor/shëndetit, aplikim i masave të frikësimit ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitje e një qyteti ose e një vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejtë në konflikt, në atë mënyrë që duke bashkëvepruar me personat, deri më tani të paidentifikuar, ka shkuar në lagjen “Kristal” të Pejës, kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht si dhe i kanë vrarë”, tha dje Prokuroria Speciale në njoftimin për ngritjen e aktakuzës.

Zoran Gjokiq, masën e paraburgimit që nga koha e arrestimit e ka vuajtur dhe e vuan në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.