Kush është Edison Çobo, personi që OFL i kërkon të deklarojë pasurinë, vëllai i ish- Presidentit të “Tomorit”

Edison Çobo është një nga dy personat që ditën e sotme Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar formularin e vetëdeklarimit të burimit të pasurisë.

Ai ka në dispozicion 48 orë që të justifikojë pasurinë që ka ndryshe do të merren masa deri në sekuestrimin e saj. Sipas OFL Edison Çobo rezulton të jetë i dënuar në Itali për lëndë narkotike.

Por edhe në vendin tonë Edison Çobo ka një të shkuar kriminale.

Policia e Beratit e  ka arrestuar në vitin 2018 ndërsa ai cilësohet si person me rrezikshmëri të lartë. Çobo ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendim nr.4137 dt.25.09.2017 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Po kështu në vitin 2013 emri i tij u lakua për grabitjen e biznesmenit Edmond Pite nga Ura Vajgurore. Në atë kohë Edison Cobo u kap nga policia por nuk e pranoi autorësinë e krimit. 

Në vitin 2013 ku 45-vjeçari në bashkëpunim me 3 të tjerë të maskuar dhe me armë kanë grabitur ish-mikun e tyre Edmond Piti dhe kanë terrorizuar familjen e tij dhe e gjitha sipas policisë ka ndodhur për prishje të pazareve të drogës.

Edison Çobo është vëllai i ish-Presidentit të Tomorit të Beratit Ardian Çobo, që u vra në vitin 2000 në Tiranë në një lokal pas stadiumit ‘Selman Stërmasi’.