Edisa Shoshi ka arritur sukses të jashtëzakonshëm. Studentja pejane ka fituar bursë prej 120 mijë dollarësh në Valparaiso University, partneri i Smart Center në SHBA.
Kjo është bursa më e madhe që ky Universitet ofron dhe Edisës ia mbulon të gjitha shpenzimet shkollore.
Mirëpo, sukseset e Edisës nuk përfundojnë këtu. Ajo vitin e kaluar ka fituar bursë edhe nga një Universitet në Hungari në të cilin aktualisht është duke studiuar.
Edisa në qërshor të vitit të kaluar është kthyer nga Nju Jorku me medalje të brozntë për një projekt mjaft interesant që lidhet me fibra optike.
Sa ishte në klasën e nëntë në shkollën fillore, Edisa Shoshi ka fituar në projektin ATOMI, projekt ky që shpërblen nxënësit me aftësi dhe inteligjencë të lartë.
Ndërkohë, në klasën e 11-të ajo përfundoi testin e njohur për gjuhën angleze, TOEFL.

Si maturante, Edisa zgjedhet nxënësja më e mirë në Kolegjin “Mehmet Akif” në Lipjan. Në dhjetor të vitit të kaluar e ka përfunduar edhe testin SAT.
Gjithashtu edhe nga klasa 6 deri në të 12-të, ka marrë pjesë dhe ka fituar dhjetëra mirënjohje e certifikata në gara të ndryshme.

Edisa Shoshi momentalisht është studente e shkëlqyeshme e Mekatronikës në Universitetin e Debrecenit në Hungari.

Ajo pret rezultate të mira për bursë edhe në tri Universitete prestigjioze në SHBA. Edisa gjithashtu është përzgjedhur nga ambasada japoneze si nxënësja favorite për studime në Japoni. /Ballkani.info/







