Kush është Dejona Mihali, gruaja që pret vendime në Vetëvendosje? – flet Kusari-Lila

Kryetarja e Grupit të VV-së në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, ka treguar në emisionin Pressing në T7 se çfarë roli luan Dejona Mihali brenda VV-së.

Deputeti Haki Abazi tha javën e kaluar në një konferencë për media brenda hollit të Kuvendit se Milahi ua shkruan fjalimet deputetëve të VV-së dhe kontrollon gjithçka nga brenda. Kusari Lila thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe se asnjëherë asaj nuk i ka shkruar fjalime Mihali. Gjithsesi, ajo nuk e mohon se Mihali ka rol të shtuar brenda VV-së dhe grupit parlamentar, përkundër faktit se është shumë pak e njohur për publikun e gjerë.

“Unë jam liberale. Nuk kam lejuar asnjëherë të jem kontrolluar nga dikush apo të kem subordinim. Por me Dejonën unë kam pasur bashkëpunim fenomenal me të dhe ka pasur raste kur kemi pasur mospajtime, por i kemi biseduar si njerëz të rritur”, tha ajo. 

“Nuk është aspak e vërtetë që më ka shkruar ndonjë fjalim ndonjëherë. Absolutisht nuk e dirigjon. Nuk është e vërteta deklarata e Abazit. Ajo ka rol, por është në kontekst të organizatës pasi bëhet fjalë për një organizatë të madhe politike që funksionon shumë mirë dhe është e shtrirë shumë gjerë”, shtoi Kusari Lila.

Haki Abazi tha se Dejona Mihali është njeriu kryesor që kontrollon grupin parlamentar të Vetëvendosjes dhe vendimet që merren në këtë parti.

Ani pse Dejona Mihali është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, në web-faqen zyrtare të kësaj partie nuk gjendet biografia e saj, për dallim nga zyrtarët tjerë të VV’së. Si informacion për publikun është dhënë vetëm pozita e saj si ‘Koordinatore e Komiteteve‘.

Për Dejona Mihalin dihet shumë pak. Ajo ka shmangur daljen para kamerave dhe angazhimin publik në Kosovë.