Kryetar i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se ka ristrukturuar kabinetin qeverisës në kryeqytet.

Ndër ndryshimet që ka bërë në kabinetin qeverisë është edhe shkarkimi i nënkryetares së kryeqytetit nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, e cila gjithashtu ka ushtruar edhe detyrën e drejtoreshës së Arsimit.

Në vend të saj është emëruar Jehona Lushaku -Sadriu nga LDK-ja.

Rama ka thënë se Sahatçiun e ka shkarkuar nga detyra pasi që ka vlerësuar se ka ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga ajo.

Rama ka njoftuar se ka bërë bashkë edhe drejtorin e Planifikimi me atë të Urbanizmit, duke e larguar nga kabineti kështu drejtoreshën e deritanishme të Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani. Në vend të saj është emëruar Arbër Sadiki.

E në vend të Ilirik Musliut, drejtorit të Shërbimeve Publike të shkarkuar javën që shkoj Rama ka emëruar Bekim Brestovcin.

“Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie”, ka shkruar Rama.

Por kush është Bekim Brestovci?

Brestovci deri tash ka qenë këshilltar për investime kapitale në kabinetin e Përparim Ramës. Pozitën e rëndësishme në Komunë të Prishtinës që sot e mori, vije pas ai u largua nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

Ka qenë pikërisht Limaj ai i cili e pati bërë zëvendësministër të Punëve të Jashtme në kohën e qeverisjes së Ramush Haradinajt. I ardhur në Kosovë me pompozitet si biznesmen i suksesshëm në Gjermani, Brestovci pati premtuar gjithçka për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Mirëpo, që nga kthimi i tij në Kosovë, në vitin 2018, nuk është parë diçka konkrete në këtë plan.

Është pak e çuditshme se si një biznesmen aq i suksesshëm në Gjermani, siç ka thënë Brestovci që është, të kthehet në Kosovë. Burimet tona thonë se Brestovci është marrë me biznes në Gjermani, por jo të këtyre përmasave siç ka deklaruar ai. Madje, në fushatën zgjedhore të vitit 2021 kur ishte kandidat i Nismës për deputet, në media sponsorizonte artikuj që i kishte ngritur 11 firma në Gjermani me 1300 të punësuar.

Këto burime thonë se ai në një qytet gjerman e kishte një lokale nate dhe se kishte pastruar xhama…

Edhe në profilin e tij në Facebook, Brestovci nuk është që ka paraqitur ndonjërën prej kompanive të tij të mëdha!

Mbetet të shihet se si një biznesmen “klasi” siç pretendon të ishte Brestovci tash do të merret me bërllokun e Prishtinës, sepse pozita që sot e ka marrë, mbeturinat janë kryefjala e punëve që duhet të bëjë!