Kush është avokati i kryeministrit Edi Rama për padinë ndaj Ramush Haradinajt

Top Channel ka siguruar një pjesë të padisë, 30 faqe, në të cilën kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj përveç akuzës për shpifje mbi “Idenë e shkëmbimit të territoreve”, akuzohet edhe për deklarimet se homologu i tij shqiptar, Edi Rama këtë po e bën për përfitime personale.

Në padi përmendet emisioni 360 shkallë ku specifikisht thuhet: “Haradinaj ka akuzuar në mënyrë specifike paditësin (Ramën) se është angazhuar në projektimin dhe i ka dhënë mbështetje “Idesë së korrigjimit të kufijve” në shkëmbim të një interesi financiar” pra korruptiv që sipas të paditurit (Haradinaj) personifikohet në të ardhura të nga një pjese të minierës së Trepçës që gjendet në veriun e Republikës së Kosovës”.

Kjo pjesë ka një vlerë prej “10 miliard euro” dhe sipas të paditurit (Haradinaj) këto para do të “Ndahen në mes Presidentit Thaçi, Kryeministrit Rama dhe Presidentit serbe Aleksandër Vucic”, shkruhet në padinë e Ramës. Avokati i kryeministrit të Shqipërisë është Kushtrim Palushi.

Me këtë Rama përmes padisë pretendon se “bëhet fjalë për akuza të karakterit nga më të rëndë penal drejtuar paditësit për “tradhëti” e pikërisht “të interesave madhorë mbarë kombëtare” për shkaqe nga më flagrantet e banale si “përfitimi personal material- si dhe nga mënyrë se si janë thënë, të lënë të kuptosh që flitet për një ngjarje konkrete, të vërteta e të provuara si të tilla, duke mos lënë asnjë mundësi për publikun që të mendojë të kundërtën dhe të bëjë vlerësimin e tij”, thuhet në padi.

Ehat Miftari nga Betimi për Drejtësi, të cilët informuan publikun për padinë, thotë se kryeministri ka imunitet në ushtrimin e funksionit, por ky imunitet përfundon në momentin kur ofendon ose përhap gjuhë fyese ndaj një personi tjetër.

Padinë e Ramës, profesori Rrahman Paçarizi e sheh rrjedhojë e qëndrimeve personale të të dy kryeministrave. Por, sipas tij kjo nuk do të ndikoj në raportet mes dy vendeve.

Bazuar në afatet ligjore, Gjykata Themelohet duhet brenda 30 ditësh ta caktoj lëndën tek gjyqtari, por bazuar në praktikat e deri tanishme, lënda mund të trajtohet mas disa vitesh.