Kusarit nuk i vjen mirë që Kuvendi po debaton për arrestimin e Nagip Krasniqit: Bëni mocion që me duar të lidhura të sillet për të raportuar

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga PDK për ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, tha se opozita po mundohet të shfrytëzojë mekanizmin që siç thotë ajo ka ende ndikim në të, prokurorinë.

Në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila tha se opozita po e kthen sallën e Kuvendit në gjykatore.

Sipas saj për të shkuar deri në fund skenari i opozitës, shefja GP të VV-së, propozoi që Nagip Krasniqi të sillet ashtu me duar të lidhura në Kuvend dhe të përgjigjet para deputetëve.

“Opozita po mundohet të shfrytëzoj mekanizmin në të cilin ende e kanë ndikimin e tyre, atë të prokurorisë, duke e kthyer sallën e Kuvendit në gjykatore. Për të realizuar këtë skenar deri në fund i propozoj opozitës ta bëj një mocion sot, dhe nga qendra e paraburgimit ku po mbahet Nagip Krasniqi, të sillet këtu, në sallën e Kuvendit, ashtu duar lidhur siç e nxorrën nga Gjykata dhe të pyetet për të gjitha procedurat e prokurimit dhe aktivitetet tjera operacionale që janë zhvilluar në KEK sa ishte ai drejtor. Sikur të ishit të bindur se prokuroria e ka të bazuar në fakte akuzën ndaj drejtorit të pezulluar, nuk do të insititonit në mbajtjen e kësaj seance”, tha Kusari-Lila në Kuvend.