Kusari-Lilës më nuk i “dhimbsen” policët, hesht pas plagosjes së mbrëmshme të një polici në veri

Me orë të stërzgjatura pune, ushqim të vobektë, të kërcënuar në çdo moment, pa sigurime jete, paga të vogla…, pjesëtarët e Policisë së Kosovës po qëndrojnë në veri të Kosovës. Hiç më larg se mbrëmë, njëri prej tyre u plagos në një sulm nga bandat kriminale, shkruan Demokracia.com.

E pushteti i Vetëvendosjes, që ka kohë që po i lë në këtë gjendje policët në veri, njëherë për targa e tash për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale, ishte shumë kritikë muaj më parë ndaj qeverive të kaluara.

Edhe pse policët po rrezikohen seriozisht, jo më shumë se një vit më parë, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, kishte thënë se nuk do të dërgojnë policë për t’u vrarë në veri.

Këtë deklaratë ajo e kishte bërë teksa po diskutohej për pagesën e rrymës në veri nga Qeveria e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Kusari-Lila deklaroi atëherë se më mirë është të ndahen mjete prej KOSTT-it për veriun, sesa të dërgohen forca policore dhe të kthehen në arkivol, sikur rasti i policit tashmë hero, Enver Zymberi.

Ajo tha se Qeveria obligohet që brenda afatit 6-mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për konsumatorët në katër komunat e Kosovës.

“Jemi duke bërë zgjidhje për shtet të Kosovës, për atë çka nuk është bërë deri tash, sepse më mirë është të bëhet zgjidhje sot me mjete që ndahen prej KOSTT-it, se sa, pasi po doni politikë, të dërgohen forca policore e të na kthehen në arkivol, qysh na është kthyer Enver Zymberi. Kjo implikohet. Tërë dita na ka shkuar duke përmend të vdekur në seancë, por ju tregoj edhe këtu ka mundësi. Kjo është çështje e sigurisë”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila nuk ka pasur më ndonjë qëndrim, as pasi polici i Njësisë së Reagimit të Shpejt u plagos nga sulmi i mbrëmshëm në fshatin Serbovc të Zveçanit dhe tani është dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Demokracia.com ka mësuar se ai është plagosur në krah dhe në Spitalin Regjional të Mitrovicës nuk kanë mundur t’ia largojnë plumbin.