Deputetja e LVV-së

“Kusari-Lila, zëdhënëse e Qeverisë”: Rizvanolli s’shkon të raportojë për minatorët, përplasen pushteti e opozita

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk ka shkuar të raportojë për grevën e minatorëve të Trepçës në Komisionin për Ekonomi, nën arsyetimin se ndodhet jashtë vendit. Kjo ka shkaktuar përplasje mes opozitës dhe pozitës, me këta të fundit që kërkuan takim me përfaqësuesit e sindikatës.

Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila propozoi që të mbahet një takim në një sallë më të madhe.

“Kryetari aktual nuk është i shkarkuar prej sindikatës, por i suspenduar…Ai me punëdhënsin ka kontratë, është përfaqësues sindikalë, është kryetar bashkë me 8 përfaqësues tjerë. Për këtë arsye, pasi kjo është tema e sotme, propozoj që në një pauzë 10 minuta të marrin informatën prej administratës që cila sallë plotëson kushtet të jemi ne, mediat, edhe gjithë anëtarët, në kushte pak më komode për hapësirë dhe ta vazhdojmë takimin.” – tha ajo fillimisht.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala deklaroi se ministrja do të duhej të ishte në Kuvend, që të jepte raportin zyrtar në lidhje me pakënaqësitë e minatorëve.

“Të enjten që shkoi kemi caktuar f rendin e ditës dhe e kam ftu ministren zyrtarisht që të raportojë sot për situatën në ndërmarrjen Trepça, të premten kemi marrë email me arsyetim që ajo nuk do të marrë pjesë se është jashtë vendit. Do të duhej të ishte ministrja këtu dhe të kishim një raport zyrtar pse minatorët nuk kanë marrë pagat me rregull, pse ministrja nuk ka bërë asnjë hap që Trusti t’u paguhet miniatorëve, pse të ndërpriten sigurimet shëndetësore… “ – tha ai.

Kusari-Lila ndërkohë, pretendoi se duhet të dihen rrethanat dhe duhet të dëgjohen përfaqësuesit se pse hynë në grevë.

“Kjo është e mundur kur ne i dëgjojmë përfaqësuesit e sindikatës, arsyet dhe argumentit pse hyjnë në grevë pa këshillë grevist, pa prezantim të kustheve, pa referencë në kontratë sepse ligi mbi greva e sheh qartë se cilat janë kriteret dhe kushtet e mbatjes së grevës.” – tha ajo.

Këtu, Shala i Partisë Demokratike të Kosovës e quajti Kusari-Lilën “zëdhënëse të Qeverisë”.

“Një sqarim, ne është dashur të marrim vijë zyrtare nga ministrja, po e shoh që jeni bërë zëdhënëse e Qeverisë, duhet të ketë raport të ministrit të Zhvillimit Ekonomik.” – u shpreh ai.

“Nuk jam zëdhënëse e Qeverisë, por udhëheqëse e grupit parlamentar.” – deklaroi më pas Kusari-Lila.

Kritika ndaj pushtetit kanë pasur edhe deputetët e partive të tjera opozitare. Pal Lekaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës përmendi vizitën e kryeminisrit Kurti gjatë fushatës te minaoteët.

“Është dita e tetë që minatorët kanë hyrë në grevë, dita e tetë që asnjë zyrtar i Qeverisë nuk i ka vizituar, është dita e tetë që ata në kushte të tmerrshme jetojnë atje, dhe paramendoje ministrja thotë arsyetimin që jam në udhëtim zyrtar, por sikur të ishte ministrja edhe jashtë vendit, greva që është minatorëve, ajo do të duhej të ishte kthyer urgjentisht, e jo t’i injorojë kërkesat e minatorëve. Kur ju duhen për fushatë, kryeministri shkon e iu thur lavde, që ku e keni foton në fushatë…” – deklaroi ai.

Ndërkaq, Valentina Bunjaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës përmendi mungesën e ministres në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi.

“Kur je minister duhet me majt përgjegjësi, kur të thërret vendi, po thuani po i dëgjojmë sindikalistët…jo me manipulu me njerëz, me bashkëbisedu. Ne kemi propozu me shku në vizitë, nuk keni pranu, kemi kërku me ftu ministren këtu dhe nuk është këtu, nuk e arsyeton takimi me sindikatën faktin që ministrja nuk është këtu.” – tha ajo.