Kusari-Lila: LVV-ja në opozitë ka pasur të drejtë, edhe kur më ka kundërshtuar mua

Kryetarja e Gurpit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila është shfajësuar për përgjegjësinë që ajo e ka pasur si ministre vite më parë, me rolin në privatizimin e distribucionit të energjisë elektrike.

Kusari-Lila ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur të drejtë gjatë kohës sa ka qenë në opozitë, edhe kur e ka kundërshtuar vetë atë si ministre e zëvendëskryeministre.

“Unë jam duke i bartur pasojat e asaj të cilës ju vazhdimisht po i referoheni. Megjithatë unë prapë po deklaroj, publikisht, me përgjegjësi intelektuale, morale e njerëzore, qe po e them: kanë pasë të drejtë Lëvizja Vetëvendosje edhe kur kemi qenë në anë të kundërta. Kanë pasur të drejtë. Edhe mua kur më kanë refuzu. Edhe mua kur më kanë kundërshtu. Të paktën këtë mund t’ua them”, tha ajo.

Kusari-Lila tha se në kohën e privatizimit të distribucionit të energjisë elektrike, ka qenë anëtare e komisionit qeveritar në cilësinë e ministres, por ka shtuar se “dihet kushe e ka kryesu atë”.