Kurtit, Muratit e Sveçlës iu shkon një letër nga Sindikata e Policisë së Kosovës, iu kërkohen 5 milionë euro çdo vit

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të mos kenë sigurim shëndetësor. 23 vjet nga themelimi, zyrtarët policor vazhdojnë të paguajnë për trajtime mjekësore e medikamente.

Ndonëse ka pasur disa tentativa për të rregulluar këtë problem të madh, në praktikë një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.

Së fundi, Sindikata e Policisë së Kosovës i ka nisur një letër kryeministrit, Albin Kurti, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe atij të Financave Hekuran Murati, nga të cilët kërkojnë 5 milionë euro në vit për sigurime shëndetësore.

“Nëse nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndahen mjetet e kërkuara prej pesë milion euro, për secilin vit në vazhdimësi, mund të bëjmë sigurimin shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, e cila mund të filloj implementimin e saj brenda një periudhe të shpejtë kohore”, thuhet në letrën e Sindikatës së Policisë.

Letra e Sindikatës për Sigurimet Shëndetësore:

Rregullimi i aspektit të sigurimeve shëndetësore dhe jetësore për një kohë të gjatë ka qenë edhe peng i miratimit dhe zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore si Ligji bazë për të gjithë qytetarët duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Për shkak të ngecjes së zbatimit të këtij ligji, propozojmë që për shkak të nevojave imediate që ka Policia e Kosovës, të gjendet një zgjidhje për organizatën tonë duke pasur parasysh specifikat dhe kushtet e punës në të cilat punon personeli policor.

Duke u bazuar në të dhënat që i kemi deri me tani, ne kemi një numër mjaft të madh të personelit policor të cilët kanë humbur jetën, kanë vdekur, janë lënduar apo edhe kanë probleme shëndetësore të theksuara deri në invaliditet.

Deri me tani në kryerje të detyrës kanë humbur jetën 22 zyrtarë policor (heronj të Kosovës), nga pandemia COVID-19 humben jetën (25) punonjës të Policisë së Kosovës, kanë vdekur në detyrë 324 zyrtarë, 359 zyrtarë policor janë lënduar në kryerjen e detyrave zyrtare, 231 zyrtarë të sëmurë në detyrë, aktualisht me sëmundje të veçanta shëndetësore janë 259 zyrtarë. Deri tani kemi 1273 zyrtare policor të cilët kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia.

Mosha mesatare e personelit policor ka aritur në katërdhjetë e shtatë (47) vjet dhe për punën dhe kërkesat që kërkohen për zyrtarët policor në aspektin e aftësisë fizike dhe mendore është e vështirë për tu mirëmbjtur pa mbështetje shëndetësore të mirë dhe pa sigurim shëndetësor adekuat apo edhe pensionim të parakohshëm.

Në Policinë e Kosovës kemi rreth 9342 punonjës të rregullt duke përfshirë këtu zyrtarët e unifomuar dhe stafin civil. Sindikata e Policisë së Kosovës ka takuar Drejtorin e Byros Kosovare të Sigurimeve me qëllim që të sigurojmë mënyrën dhe koston financiare për implementimin e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për punonjësit e Policisë së Kosovës.

Gjatë analizimit të të dhënave kemi vlerësuar se me rreth pesë milion (5000000) euro në vit mund të bëjmë një sigurim shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Nga oferta kemi kuptuar se është e mundur mbulimi i shpenzimeve për sigurim shëndetësor duke përfshirë: invaliditetin, hospitalizimin, shpenzimet mjekësore si pasojë aksidenti, trajtimet ambulatore, medikamentet, shërbimet dentare, shërbimet optike, shërbimet e dëgjimit, shërbimet e maternitetit, transportet autoambulance etj.

Ndërsa për sigurimin jetësor mbulimi i humbjes së jetës natyrore dhe humbjes aksidentale të jetës.

Nëse nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndahen mjetet e kërkuara prej pesë milion euro, për secilin vit në vazhdimësi, mund të bëjmë sigurimin shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, e cila mund të filloj implementimin e saj brenda një periudhe të shpejtë kohore.

Sigurimi shëndetësor për institucionin e vetëm të sigurisë në vend do të duhej të bëhej shumë vite më parë apo së paku nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, prandaj është nevojë jetike që kjo të bëhet edhe tani si dhe do të ishte nder dhe respekt për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Andaj besojmë dhe shpresojmë në mbështetjen Tuaj dhe të qeverisë së Republikës së Kosovës për alokimin e mjeteve në shumë prej pesë (5000000) milion euro, për të mbështetur Policinë e Kosovës për realizimin e sigurimit shëndetësor dhe jetësor.