Kurti vazhdon ta mbajë afër Martin Berishajn e akuzuar për dallavere me GEN-I serb, ai vazhdon të paraqitet duke qeshur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka mbajtur sot afër vetes ambasadorin e Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj gjatë pritjes së ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman.

Si zakonisht, Berishaj është paraqitur i qeshur teksa ka përshëndetur ministrin kroat.

Martin Berishaj është shndërruar në skandalin më të madh të kësaj qeverie, për shkak të raportimeve të mediave sllovene që e kanë ndërlidhur me keqpërdorime me kompani serbe, që tregtojnë me energji elektrike.

Berishaj deri tani nuk ka pranuar të dorëhiqet dhe e ka gëzuar mbështetjen e plotë të kryeministrit dhe presidentes.

Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci, është kthyer tashmë në një figurë të njohur që disa vite. Por jo për punën e bërë, sa për një skandal financiar në Slloveni, ku dyshohet të jetë përfshirë edhe ai. Në media është raportuar se dyshohet që skandali peshon 100 milionë euro, e ku përfshihet edhe Berishaj, i cili dyshohet se përfitoi 600 mijë euro nga filiali i GEN-It në Beograd.