Kurti u shprehu mirënjohje agjencive të OKB-së për mbështetjen që ia dhanë Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në punëtorinë planifikuese të Ekipit të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku ishin të pranishme edhe Drejtorja rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Zhvillimit (UNDCO), znj. Gwi Yeop Son dhe Koordinatorja për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, znj. Ulrika Richardson.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës të gjitha organizatat e Kombeve të Bashkuara që veprojnë këtu.

“Që nga viti i kaluar agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë qenë në ballë të frontit të luftës kundër pandemisë COVID-19 dhe ne kemi përfituar nga angazhimi i tyre aktiv dhe koordinimi i afërt me partnerët e tjerë”, tha kryeministri Kurti. Ne nuk do të mund të reagonim me shpejtësi ndaj krizës pa mobilizimin nga partnerët tanë të zhvillimit dhe pa punën e agjencive të KB-së. Këtu përfshihen edhe përpjekjet jetike të vaksinimit, shtoi ai.   

Disa nga fushat ku presim angazhim të agjencive të OKB-së, duhet të përqendrohen drejt zhvillimit të qëndrueshëm, tha kryeministri. Këtu, theksoi ai, përfshihen shëndetësia, ambienti, kohezioni dhe integrimi social.

Kryeministri foli për pengesat politike dhe mungesën e perspektivës zhvillimore, të cilat e ngadalësojnë bashkëpunimin me agjencitë e OKB-së.

“Duke pasur parasysh se Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, pra nuk është në gjendje t’i ushtrojë të gjitha mundësitë që kanë anëtarët e tjerë të OKB-së”, tha ai dhe shtoi se  “qëllimi ynë është të kapërcejmë këto pengesa dhe të ecim përpara”.

“Për këtë, ne kemi nevojë para së gjithash, për dialog dhe diskutim të hapur me partnerët tanë në mënyrë që të mund të harmonizojmë prioritetet dhe qëllimet tona, duke integruar njëkohësisht agjendën kombëtare të zhvillimit, agjendën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe agjendën e integrimit evropian”, tha kryeministri Kurti.